Mustafa për VV-në: Diktaturë e mbështjellë me numra, po përpiqet t’ua diktojë nënkryetarët PDK-së dhe LDK-së

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka kritikuar qasjen e Vetëvendosjes lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit.

“Me këtë sjellje të VV-së, si parti me numrin më të madh të deputetëve, nuk shihet qëllimi i konstituimit të Kuvendit, por zvarritja e tij. Asgjë s’përngjanë në demokraci parlamentare. VV tenton ti diktojë PDK-së dhe LDK-së deputetët të cilët bëjnë dhe s’bëjnë për nënkryetar të Kuvendit. Është diktaturë e mbështjellë në numra.”, ka thënë Mustafa në një prononcim për IndeksOnline.

Mustafa kritikon opozitën për mungesë të një strategjie të përbashkët.

Duke folur për rolin e opozitës, Mustafa ka thënë se partitë opozitare po ndjekin qasje të ndryshme ndaj situatës politike.

“Roli i opozitës duket heterogjen. Një parti përpiqet ta ndihmojë Kurtin të përmbyllë këtë proces, duke u frikësuar nga zgjedhjet e reja ( me mospajtim të një pjese të deputetëve të saj). Dy partitë e tjera, luftojnë për ti bindur qytetarët se shkuarja eventuale në zgjedhje të reja është faj, jo i tyre por i z. Kurti. S’duket një vizion dhe strategji e përbashkët për dalje nga ky ngërç i shkaktuar nga Vetëvendosje. Kanë pranuar që edhe vet të veprojnë në një terren jashtkushtetues që ua dikton z. Kurti.”, theksoi ai.

Sipas tij, aktualisht nuk ekziston një zgjidhje ideale për situatën e krijuar, duke kërkuar shmangien e veprimeve që i konsideron jokushtetuese.

“Zgjedhe ideale nuk shoh. Shoh nevojën të mos zhytën të gjith në veprime jokushtetuese dhe jasht-kushtetuese, me shpikje të llojlloj arsyetimi. Dikush se është shtetformues dhe po e pranon skulpturën e zgjedhur nga Kurti për President. Tjetri, se pranojnë çdo zgjidhje, veç të bëhen institucionet deri më 16 shtator kur pason verdikti nga Haga për luftëtarët tanë dhe AAK insiston në pikat e saj. Unë do dëshiroja të shoh veprime programore të lidhura me ideologjinë e çdo partie, si vlerë të tyre.”, vlerëson Mustafa.

I pyetur se çfarë do të ndodhte nëse vendi shkon sërish në zgjedhje, Mustafa ka thënë se partitë politike duhet ta shohin këtë proces si pjesë normale të funksionimit të tyre.

“Mendoj, asgjë. Partitë themelohen, udhëhiqen dhe drejtohen për të shkuar në zgjedhje, jo për tu frikësuar nga zgjedhjet. Ata që frikësohen nga zgjedhjet do duhej të rirenditen, ta lëshojnë kreun dhe të rreshtohen me të tjerët për ti fituar zgjedhjet. Diaspora i ka ndihmuar gjithëherë vendit, por duhet të përmbahet të mos e përdhosë këtë vlerë, duke i imponuar Kosovës diktaturë e duke jetuar e punuar vet në demokracinë evropiane.”, thekson ai.

Në përmbyllje, ish-kryetari i LDK-së ka theksuar rëndësinë që partitë politike të mbajnë qëndrime në përputhje me programet dhe ideologjitë e tyre.