Thirrje e madhe nga “Liria ka Emër”: Diaspora të bashkohet në Hagë më 15 dhe 16 shtator

Platforma “Liria ka Emër” ka bërë thirrje për mobilizimin e diasporës shqiptare në Hagë më 15 dhe 16 shtator, në ditët kur pritet një moment i rëndësishëm lidhur me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Përmes një mesazhi drejtuar bashkatdhetarëve, “Liria ka Emër” ka bërë të ditur se ditët e fundit ka qenë në komunikim me autoritetet holandeze, me qëllim krijimin e mundësisë për organizimin e tubimit në Hagë.

“Ju ftojmë të gjithëve që në këto dy ditë të jemi bashkë në Hagë, në pritje të vendimit që shpresojmë dhe besojmë se do të jetë lirues”, thuhet në thirrje.

Në mesazh theksohet roli i diasporës në mbështetjen e Kosovës gjatë periudhave më të vështira të historisë, duke u bërë thirrje bashkatdhetarëve që të organizohen dhe të udhëtojnë drejt Hagës.

“Diaspora jonë ka qenë gjithmonë pranë Kosovës. Ajo ka mbështetur rrugëtimin tonë drejt lirisë dhe pavarësisë, në ditët më të vështira dhe në momentet më të rëndësishme të historisë sonë”, thuhet më tej.

Platforma “Liria ka Emër” shprehet se tubimi synon të shprehë mbështetje për luftën e UÇK-së, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Do të jemi atje për të mbrojtur të vërtetën e luftës së drejtë të UÇK-së, lirinë tonë, pavarësinë e Kosovës dhe një trashëgimi historike në të cilën diaspora jonë ka një kontribut të jashtëzakonshëm”, thuhet në thirrje.

Bashkatdhetarëve u është kërkuar që, nëse kanë mundësi, të marrin pushim nga puna, ndërsa atyre që jetojnë më larg u është bërë thirrje të organizohen në grupe dhe të udhëtojnë drejt Hagës.

Detajet lidhur me vendin dhe orarin e tubimit, sipas organizatorëve, do të bëhen të ditura në ditët në vijim.

Thirrja përmbyllet me mesazhin:

“Më 15 dhe 16 shtator, Kosova dhe diaspora – bashkë në Hagë!
Për lirinë.
Për të vërtetën.
Për Kosovën.”