BQK-ja dhe sektori bankar avancojnë përgatitjet për funksionalizimin e pagesave të shpejta përmes projektit TIPS Clone

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka bërë të ditur se po vazhdojnë përgatitjet për funksionalizimin e sistemit të pagesave të shpejta TIPS Clone deri në fund të këtij viti, i cili pritet të mundësojë pagesa në kohë reale, 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë.

Për ecurinë e projektit, BQK-ja ka zhvilluar takim me drejtuesit e bankave në Kosovë, ku është diskutuar gatishmëria teknike, institucionale dhe operative për vënien në funksion të sistemit.

Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, ka thënë se TIPS Clone është një nga projektet më të rëndësishme për modernizimin e sektorit financiar dhe përafrimin e Kosovës me infrastrukturën evropiane të pagesave.

Sipas tij, sistemi do t'u mundësojë qytetarëve dhe bizneseve realizimin e pagesave të menjëhershme në kohë reale, 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë dhe gjatë gjithë vitit, duke synuar shërbime më të shpejta, më efikase dhe me kosto më të ulët.

BQK-ja ka sqaruar se TIPS Clone dhe SEPA janë projekte plotësuese. Ndërsa SEPA krijon kornizën për integrimin në tregun evropian të pagesave, TIPS Clone ofron infrastrukturën teknike për realizimin e pagesave të shpejta.

Sistemi bazohet në platformën TARGET Instant Payment Settlement (TIPS) të Eurosistemit, të zhvilluar dhe operuar nga Banka e Italisë. Këshilli Drejtues i Bankës Qendrore Evropiane ka miratuar ofrimin e këtij sistemi për bankat qendrore të Ballkanit, përfshirë Kosovën.

Në fazën e parë, sistemi do të fokusohet në pagesat e shpejta brenda Kosovës, ndërsa më vonë parashihet zgjerimi në pagesat rajonale ndërkufitare. Objektiv afatgjatë është ndërlidhja me ekosistemin evropian të pagesave dhe avancimi i integrimit të Kosovës në SEPA.

BQK-ja ka bërë të ditur se deri në fund të vitit 2027 planifikohet edhe zhvillimi i shërbimeve të ndërlidhura, të njohura si “Overlay Services”, të cilat pritet të krijojnë mundësi të reja për pagesa digjitale dhe inovative.

Në fazat e mëvonshme, përveç bankave, në sistem pritet të mund të përfshihen edhe institucionet e pagesave dhe të parasë elektronike, pasi t'i përmbushin kërkesat teknike, operative dhe rregullative.

Projekti po realizohet edhe me mbështetje financiare përmes grantit të Qeverisë së Kosovës, të financuar nga Banka Botërore.

BQK-ja ka theksuar se do të vazhdojë koordinimin me bankat dhe partnerët ndërkombëtarë, me synimin që Kosova të ketë një infrastrukturë moderne, të sigurt dhe efikase të pagesave. /telegrafi