50 gjoba për motoçiklistët në Ferizaj, konfiskohen 14 motoçikleta dhe 8 trotinetë
Policia Rajonale e Ferizajt ka shqiptuar 50 gjoba ndaj drejtuesve të motoçikletave gjatë muajit gusht 2026, ndërsa ka konfiskuar 14 motoçikleta dhe skuterë, si dhe tetë trotinetë.
Sipas Policisë, kontrollet në trafik janë intensifikuar me fokus te drejtuesit e motoçikletave, skuterëve dhe trotinetave, në kuadër të planit operativ “Kontrolli i shtuar i qarkullimit të motoçikletave dhe trotinetave”.
Nga 50 gjobat e shqiptuara, 27 ishin për drejtim të motoçikletës pa patentë shoferi, 11 për drejtim pa regjistrim dhe katër për ngasje pa helmetë mbrojtëse. Tetë gjoba të tjera janë shqiptuar për kundërvajtje të tjera.
Gjatë kësaj periudhe, Policia ka konfiskuar edhe 14 motoçikleta dhe skuterë, si dhe tetë trotinetë, kryesisht për mungesë të dokumentacionit të rregullt.
Policia ka apeluar te drejtuesit e këtyre mjeteve që të respektojnë rregullat e komunikacionit, kufizimet e shpejtësisë dhe të përdorin helmetën mbrojtëse.
“Një moment pakujdesie mund të ketë pasoja të rënda për jetën”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim rritjen e sigurisë dhe parandalimin e aksidenteve rrugore.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që shkeljet t’i raportojnë përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”, ose në numrat zyrtarë të Policisë.