Inflacioni në Kosovë arrin në 7,3% në gusht 2026, transporti dhe rryma prijnë shtrenjtimin

Kostoja e jetesës në Kosovë ka vazhduar të rritet gjatë muajit të kaluar.

Sipas të dhënave më të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), shkalla e inflacionit vjetor për muajin gusht të vitit 2026 ka arritur në 7,3%. Ndërkaq, në raport me muajin paraprak (korrik 2026), çmimet e konsumit pësuan një rritje mujore prej 1,3%.

Në raportin e ri mbi Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK), ASK-ja bën të ditur se shtrenjtimi më i theksuar përgjatë një viti (gusht 2026 / gusht 2025) vërehet në sektorin e transportit, i cili ka shënuar një ngritje masive prej 21,1%. Një tjetër rritje e lartë dyshifrore është regjistruar te shpenzimet për strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse me 11,8%, transmeton Zeri.info.

Sektorët e tjerë që po ashtu kontribuuan në ngritjen vjetore të çmimeve përfshijnë:

Restorantet dhe shërbimet e akomodimit me një rritje prej 5,4%.

Pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët me 5,1%.

Shëndetësia me 4,2%.

Kujdesi personal dhe mbrojtja sociale me 3,8%.

Ushqimet dhe pijet joalkoolike njohën një rritje disi më të moderuar prej 2,6%.

Në anën tjetër, e vetmja rënie e çmimeve e regjistruar gjatë kësaj periudhe ishte te shërbimet arsimore, të cilat panë një tkurrje të lehtë prej -0,5%.

Edhe në nivel mujor (gusht 2026 / korrik 2026), rritja e përgjithshme prej 1,3% është nxitur kryesisht nga shtrenjtimi i shërbimeve të transportit me 4,6%, si dhe nga kostot e strehimit dhe lëndëve djegëse me 0,8%. /Zëri