Trumpi premton pesë mijë dollarë për çdo qytetar, nëse fitojnë republikanët

Presidenti Donald Trump tha të mërkurën se do t`i paguajë çdo të rrituri amerikan një divident prej 5.000 dollarësh nëse republikanët mbajnë kontrollin e Kongresit në zgjedhjet e mesit të mandatit të nëntorit.

Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë një premtim të ri ekonomik në përpjekje për të mobilizuar votuesit republikanë për zgjedhjet e nëntorit: 5 mijë dollarë për çdo qytetar të rritur amerikan, nëse Partia Republikane fiton si Dhomën e Përfaqësuesve, ashtu edhe Senatin.

Trumpi e bëri deklaratën gjatë konventës së parë të republikanëve të fokusuar te zgjedhjet e mesmandatit, të zhvilluar në Dallas.

“Nëse republikanët fitojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin e Shteteve të Bashkuara, të dyja, për shkak të forcës sonë të jashtëzakonshme dhe suksesit ekonomik, unë do t’i jap çdo qytetari të rritur në Shtetet e Bashkuara një divident prej 5 mijë dollarësh”, tha Trumpi.

Presidenti shtoi se do të kishte vetëm një kusht për përdorimin e parave.

“E vetmja kërkesë që kam është që dividenti që po japim të shpenzohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh ai.

Trump e cilësoi pagesën si një “Trump dividend” dhe e krahasoi me shpërndarjen e parave nga një kompani e suksesshme për aksionarët e saj. Megjithatë, ai nuk dha detaje se nga do të siguroheshin fondet, si do të realizoheshin pagesat apo nëse një program i tillë do të kërkonte miratimin e Kongresit.

Nëse do të zbatohej për rreth 270 milionë të rritur, kostoja teorike do të arrinte rreth 1.35 trilion dollarë. Kjo e bën premtimin një nga propozimet më të kushtueshme të fushatës së republikanëve për zgjedhjet e mesmandatit. 

Gjatë fjalimit, Trumpi u përpoq ta paraqiste votimin e nëntorit si një zgjedhje direkte për politikat dhe presidencën e tij. Ai u kërkoi republikanëve të votojnë sikur emri i tij të ishte në fletën e votimit.

“Po ju kërkoj të bëni sikur jam në fletën e votimit. Jam në fletën e votimit. Jam në fletën e votimit”, tha presidenti.

Ai gjithashtu deklaroi se "këto kanë qenë dy vitet më të suksesshme, financiarisht dhe në çdo mënyrë tjetër, në historinë e presidencës”.

Trumpi e përdori fjalimin për të mbrojtur bilancin e administratës së tij dhe për të sulmuar demokratët, ndërsa republikanët përpiqen të ruajnë kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Iran, nafta dhe paralajmërimi për Teheranin

Një pjesë tjetër e fjalimit iu kushtua luftës me Iranin. Trumpi mbrojti vendimin për goditjet amerikane, duke argumentuar se ato synojnë të pengojnë Teheranin të zhvillojë armë bërthamore.

Presidenti paralajmëroi gjithashtu Iranin lidhur me aktivitetet në objektin nëntokësor të njohur si “Pickaxe”.

“Po vërejmë njëfarë aktiviteti në vendin Pickaxe. Do ta këshilloja Iranin të mos bëjë asnjë manovër, sepse do të na duhet t’i godasim shumë rëndë”, tha Trumpi.

Ai deklaroi gjithashtu se çmimet e naftës do të bien pasi SHBA-ja të fitojë luftën me Iranin, duke parashikuar se konflikti do të përfundojë së shpejti.

Republikanët sulmojnë demokratët

Konventa në Dallas shërbeu edhe si platformë për sulme të ashpra ndaj demokratëve. Folësit republikanë i akuzuan kundërshtarët e tyre për qëndrime “radikale” dhe i kritikuan për politikat mbi emigracionin, sigurinë kufitare dhe çështjet gjinore.

Senatori Tim Scott i Karolinës së Jugut i përshkroi demokratët si “të rrezikshëm, radikalë dhe të çuditshëm”.

Ndërkohë, fokusi i madh te Trumpi gjatë konventës tregon se republikanët po e lidhin fort fushatën e zgjedhjeve të mesmandatit me figurën e presidentit. Premtimi për 5 mijë dollarë për çdo të rritur amerikan tashmë është bërë një nga pikat më të bujshme të kësaj fushate, edhe pse mënyra e financimit dhe zbatimit të tij mbetet e paqartë. /RTK