Vaktet e çrregullta të ushqimit gjatë fundjavës mund të rrisin rrezikun për zemrën te burrat

Një studim i ri francez ka gjetur një lidhje mes ndryshimit të orareve të vakteve gjatë fundjavës dhe rrezikut më të lartë për sëmundjet kardiovaskulare te burrat.

Të ngrënit e mëngjesit në mesditë apo shtyrja e darkës deri në orët e vona të natës gjatë fundjavës mund të mos jetë thjesht një ndryshim i rutinës.

Sipas një studimi të ri, ndryshimi i vazhdueshëm i orareve të vakteve mund të lidhet me rritjen e rrezikut për sëmundje të zemrës te burrat. 

Studiuesit e kanë quajtur këtë fenomen “vonesa ushqimore” (eating jet lag) – një ndryshim i orarit të ushqyerjes mes ditëve të punës dhe fundjavës.

Studimi, i publikuar në revistën shkencore Communications Medicine, analizoi të dhënat e më shumë se 100 mijë pjesëmarrësve, duke shqyrtuar oraret e vakteve gjatë ditëve të punës dhe fundjavave. Pjesëmarrësit u ndoqën për rreth 14 vjet, nga viti 2009 deri në vitin 2023. 

Një orë ndryshim, rrezik më i lartë

Sipas gjetjeve, te burrat, çdo një orë shtesë ndryshim në orarin e vakteve u shoqërua me një rritje prej 14 për qind të rrezikut për sëmundje kardiovaskulare.

Ndërkohë, rreziku për sëmundje koronare të zemrës u rrit me rreth 21 për qind për çdo orë shtesë të këtij ndryshimi. 

Studiuesit vunë re se rreziku ishte më i lartë si te personat që i zhvendosnin vaktet më vonë gjatë fundjavës, ashtu edhe te ata që i hanin më herët se zakonisht.

Pse mund të ndikojë orari i ushqimit?

Një nga shpjegimet kryesore lidhet me ritmin cirkadian, pra orën biologjike 24-orëshe që ndihmon në rregullimin e funksioneve të ndryshme të organizmit.

Krahas dritës, edhe ushqimi shërben si sinjal për “orët” e brendshme të organeve, përfshirë mëlçinë dhe zemrën. Ndryshimet e shpeshta në oraret e vakteve mund ta çrregullojnë këtë sinkronizim dhe të ndikojnë në shëndetin metabolik e kardiovaskular. 

Efekti u vërejt vetëm te burrat

Një tjetër gjetje interesante e studimit është se kjo lidhje u vu re te burrat, por jo te gratë.

Studiuesit theksojnë se burrat kanë përgjithësisht një rrezik më të lartë bazë për sëmundjet kardiovaskulare, ndërsa dallimet hormonale dhe biologjike mes gjinive mund të ndikojnë në mënyrën se si organizmi reagon ndaj ndryshimeve të ritmit të ushqyerjes.

Megjithatë, autorët theksojnë se nevojiten studime të mëtejshme për të kuptuar plotësisht këtë dallim. 

Studiuesit thonë se, nëse këto rezultate konfirmohen nga studime të tjera të mëdha, rregullsia e orareve të ushqimit mund të bëhet një element i rëndësishëm në parandalimin e sëmundjeve kronike, krahas cilësisë së ushqimit dhe faktorëve të tjerë të stilit të jetesës.