Haradinaj: Besoj se katër çlirimtarët do të kthehen në Kosovë
Ish-kreu i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka shprehur bindjen se ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë do të shpallen të pafajshëm dhe do të kthehen në Kosovë.
Haradinaj tha se nuk e sheh logjikën juridike që çlirimtarët të shpallen fajtorë, duke argumentuar se, sipas tij, lufta e UÇK-së ishte luftë çlirimtare dhe mbrojtëse ndaj forcave serbe.
“Unë besoj që këta do të vijnë në Kosovë, pra do të vijnë, do të lirohen të katërtit që janë tash. Nuk po e shoh logjikën e ligjit ndërkombëtar. Ju shihni çka po ndodh në botë, sa luftëra ka, sa është kolaterali i luftërave ku ka edhe zhvillime. Pastaj e shihni Serbinë që e ndërroi njerëz që kanë kryer krime, të dënuar për krime”, tha Haradinaj mbrëmë në Klan Kosova.
Haradinaj kritikoi po ashtu mënyrën se si është zhvilluar procesi gjyqësor në Hagë, duke thënë se gjykata deri tani ka dhënë vetëm verdikte dënuese dhe se shumica e kërkesave të mbrojtjes për lirim apo leje nuk janë pranuar.