Abdixhiku takon ambasadorin norvegjez: Qëndrimet tona në funksion të mbrojtjes së interesit të Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës,Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim ambasadorin jorezident të Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë, Arne Sannes Bjornstad.

LDK ka bërë të ditur se gjatë takimit, Abdixhiku dhe ambasadori Bjornstad diskutuan për zhvillimet aktuale politike në vend, me theks të veçantë në zhvillimet e fundit në Kuvend dhe seancën e sotme konstituive.

Abdixhiku e ka njoftuar ambasadorin për qëndrimet e LDK-së lidhur me situatën aktuale politike dhe qëndrimet mbi të cilat siç thuhet, kjo parti e ka ndërtuar dhe vazhdon ta mbajë këtë pozicion, “në funksion të mbrojtjes së interesit të Republikës së Kosovës dhe funksionalitetit të institucioneve”.

Në takim u diskutua gjithashtu për rëndësinë e tejkalimit të situatës aktuale politike dhe krijimit të kushteve për funksionimin e qëndrueshëm të institucioneve të Kosovës.

“Abdixhiku vlerësoi edhe një herë mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Norvegjisë për Kosovën, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe partneritetit ndërmjet dy vendeve”, thuhet në njoftimin e LDK-së.