Sandra Bullock dhe Nicole Kidman rikthehen te “Practical Magic”, 28 vjet pas filmit që u bë kult
Sandra Bullock dhe Nicole Kidman po rikthehen te një prej roleve më të dashura të karrierës së tyre, 28 vjet pas premierës së “Practical Magic”, filmit që fillimisht u prit me komente të përziera, por që me kalimin e viteve u shndërrua në një klasik kult.
Dy aktoret fituese të Oscar-it do të rikthehen si motrat shtriga Sally dhe Gillian Owens në “Practical Magic 2”, i cili do të shfaqet në kinema më 10 shtator.
Kur filmi i parë doli në vitin 1998, nuk pati suksesin që pritej. Kritikat ishin të përziera dhe performanca në arkëtime ishte modeste. Megjithatë, vite më vonë, filmi gjeti një audiencë të re, veçanërisht përmes rrjeteve sociale, ku skenat e tij u rikthyen në vëmendje dhe e shndërruan në një vepër me ndjekës të shumtë.
Për Bullock, rikthimi i filmit është edhe një mundësi për të reflektuar mbi mënyrën se si u prit ai në kohën e premierës.
Aktorja kujton se fushata promovuese e filmit të parë ishte veçanërisht e vështirë. Sipas saj, filmi u kritikua sepse konsiderohej “shumë”, “shumë magjik”, me “shumë gra” dhe me shumë tone të ndryshme.
“Ne nuk u rrëzuam, por filmi u rrëzua, megjithëse në të vërtetë nuk u rrëzua. Ndoshta thjesht kishte nevojë të piqej pak. Ne po piqeshim”, është shprehur Bullock.
Ajo tregon se për një kohë të gjatë kishte ndjerë edhe një lloj turpi për mënyrën se si ishte pritur filmi. Por, me kalimin e viteve, kuptoi se publiku e kishte rivlerësuar veprën.
“Rezultoi se bëmë diçka të bukur. Thjesht ishim 28 e ca vite përpara kohës sonë”, tha aktorja.
Edhe për Nicole Kidman, rikthimi i “Practical Magic” ishte i papritur. Aktorja tregon se, vite pas premierës, njerëz të ndryshëm filluan t’i thoshin se filmi ishte ndër të preferuarit e tyre.
Rikthimi në këtë univers u bë edhe më i veçantë gjatë përgatitjeve për vazhdimin. Bullock vendosi ta shikonte filmin e parë me fëmijët e saj dhe miqtë e tyre, në mënyrë që ta shihte historinë përmes syve të një brezi të ri.
“Doja sy të freskët”, tha ajo, duke shpjeguar se donte të kuptonte se si e perceptonin filmin të rinjtë që tani do të bëheshin pjesë e historisë së re.
Një brez i ri shtrigash
“Practical Magic 2” sjell në qendër edhe brezin e ri të familjes Owens. Joey King dhe Maisie Williams interpretojnë Kylie dhe Antonia Owens, vajzat e Sally-t.
King e ka përshkruar pjesëmarrjen në film si një lloj kalimi simbolik të stafetës nga Bullock dhe Kidman te gjenerata e re.
“Është bukur të mendosh se po kalojmë stafetën”, është shprehur ajo, duke e cilësuar përvojën si një dhuratë dhe nder.
Producentja Denise Di Novi, e cila ishte pjesë edhe e filmit origjinal, beson se historia mund të vazhdojë përtej filmit të dytë.
Sipas saj, personazhet e Kylie-t dhe Antonia-s kanë ende shumë histori për të treguar dhe një film i tretë nuk përjashtohet.
“Do të donim të bënim një të tretë”, tha Di Novi, duke sugjeruar se Sally dhe Gillian tashmë mund të shihen si figurat më të mëdha të familjes, ndërsa brezi i ri nis rrugëtimin e vet si shtriga.
Edhe Maisie Williams është shprehur e gatshme për një vazhdim të historisë, duke theksuar se ka ende shumë material nga romani “The Book of Magic” që nuk është eksploruar.
Nga romani te ekrani
Të dy filmat e kanë origjinën te veprat e autores Alice Hoffman. Romani “Practical Magic”, botuar në vitin 1995, shërbeu si bazë për filmin e parë, ndërsa romani “The Book of Magic”, i botuar në vitin 2021, zgjeroi historinë e familjes Owens dhe shërbeu si frymëzim për vazhdimin.
Një nga sfidat e prodhimit të ri ishte rikrijimi i shtëpisë së familjes Owens, një prej elementeve më të dallueshme të filmit origjinal. Këtë herë, shtëpia u rindërtua tërësisht në një studio në Londër, ndryshe nga struktura e përkohshme e përdorur në filmin e vitit 1998.
Bullock dhe Kidman, të cilat janë gjithashtu producente, u përballën me sfidën për ta realizuar filmin brenda një buxheti të kontrolluar.
“Ne nuk jemi një film i madh me superheronj, ndaj nuk e kemi luksin e një buxheti të jashtëzakonshëm”, tha Bullock.
Pas gati tri dekadash, “Practical Magic” po rikthehet kështu me personazhet që e bënë të dashur për publikun, por edhe me një brez të ri që pritet të marrë në duar historinë e familjes Owens. /kultplus