Trumpi përshëndet fitoren e AfD-së në Gjermani: Lëvizja është në rritje

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka përshëndetur fitoren e partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), në zgjedhjet rajonale në landin gjerman të Saksoni-Anhaltit.

Trump e ka komentuar rezultatin përmes platformës së tij Truth Social, duke e lidhur suksesin e AfD-së me politikat e migracionit të ndjekura në Gjermani.

“Urime AfD-së për fitoren e madhe në Saksoni-Anhalt”, ka shkruar Trump, duke e përshkruar partinë si pjesë të një “lëvizjeje në rritje”. Ai gjithashtu ka kritikuar rregullat dhe politikat e migracionit në Gjermani, duke argumentuar se ato kanë dëmtuar vendin.

AfD arriti rreth 43.8 për qind të votave, duke siguruar 39 ulëse në parlamentin rajonal me 83 vende. Megjithatë, partisë i mungojnë edhe tri ulëse për shumicën absolute.

Në anën tjetër, Unioni Demokristian (CDU), partia e kancelarit gjerman Friedrich Merz, pësoi një rënie të madhe, duke marrë rreth 17.2 për qind të votave.

Rezultati përbën një kthesë të rëndësishme në politikën gjermane, pasi AfD mund të jetë pranë mundësisë për të udhëhequr një qeveri rajonale, diçka që nuk ka ndodhur me një parti të së djathtës ekstreme në Gjermani që nga Lufta e Dytë Botërore.

Fitorja e AfD-së ka hapur gjithashtu debat të ri për të ashtuquajturën “firewall” politike në Gjermani, përmes së cilës partitë tradicionale kanë refuzuar bashkëpunimin me AfD-në për shkak të qëndrimeve të saj të ekstremit të djathtë.

Kancelari Merz ka hedhur poshtë mundësinë që AfD të arrijë një shumicë në nivel federal, ndërsa ka kritikuar qëndrimet e saj ndaj Ukrainës dhe migracionit.

Rezultati në Saksoni-Anhalt shihet si një test i rëndësishëm për të ardhmen e politikës gjermane, ndërsa zgjedhjet e ardhshme rajonale në Berlin dhe Mecklenburg-Pomeraninë do të jenë një tjetër matës i fuqisë në rritje të AfD-së./Zëri