Tre punonjës të lënduar dhe karburanti i gjithi i shkatërruar, detaje nga incidenti që tronditi Tiranën
Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur mëngjesin e sotëm zonën e Bërrylit në Tiranë, duke shkaktuar plagosjen e tre punonjësve dhe dëme të konsiderueshme materiale në një karburant.
Sipas të dhënave paraprake, shpërthimi dyshohet se ka ardhur nga një bombol gazi në ambientet e karburantit, ku kryhet furnizimi i automjeteve.
Si pasojë e shpërthimit, një strukturë njëkatëshe është dëmtuar rëndë dhe pjesërisht është shembur. Brenda saj akomodoheshin edhe punonjësit e karburantit.
Në momentin e ngjarjes, në ambientet e karburantit ndodhej edhe një automjet që po furnizohej me gaz. Nuk dihet ende nëse ka persona të tjerë të përfshirë apo të lënduar, raporton Tch.
Tre punonjësit e lënduar janë transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Gjendja e tyre shëndetësore ende nuk është bërë e ditur.
Pas shuarjes së flakëve, zjarrfikësit kanë nisur pastrimin e rrugës, e cila vijon të jetë e bllokuar për qarkullimin.
Rruga pritet të hapet vetëm pasi të përfundojnë ndërhyrjet dhe të rikthehet situata në gjendje normale, për të garantuar sigurinë e kalimtarëve dhe automjeteve.
Ndërkohë, në zonë po punohet edhe për largimin e pasojave të shpërthimit. Një fadromë është angazhuar për heqjen e inerteve të mbetura pas shkatërrimit të strukturës së karburantit dhe godinës njëkatëshe ku qëndronin punonjësit.
Autoritetet dhe grupet e emergjencës vijojnë punën në vendngjarje, ndërsa pritet të përcaktohen me saktësi rrethanat dhe shkaku i shpërthimit.
Pas incidentit, ka reaguar policia, që në një informacion paraprak shkruan: “Tiranë. Tek “Brryli”, në një karburant, dyshohet se ka shpërthyer një bombol gazi, gjatë kohës që po furnizohej me karburant një automjet.
Si pasojë, janë lënduar tre persona, punonjës të karburantit, të cilët janë dërguar në spital për mjekim, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të rastit”.