Në Prishtinë hapet ekspozita “Ditari i një fotografi të luftës”
Në Galerinë e Arteve të Prishtinës është hapur ekspozita “Ditari i një fotografi të luftës” e fotografit Visar Kryeziu, në kuadër të aktiviteteve të platformës “Liria Ka Emër” dhe në prag të Marshit për Liri, që do të mbahet më 12 shtator.
Ekspozita, e kuruar nga Eliza Hoxha, sjell fotografi nga arkivi i Kryeziut, të realizuara gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998–1999 dhe në periudhën pasluftës. Përmes tyre dokumentohen lufta, vuajtjet e popullatës, rezistenca, çlirimi dhe pasojat e luftës.
Hapja e ekspozitës është mbështetur edhe nga Komuna e Prishtinës, në kuadër të përpjekjeve për ruajtjen dhe promovimin e kujtesës historike përmes artit dhe fotografisë.
Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, e ka cilësuar fotografinë si dëshmi që “nuk hesht kurrë”, ndërsa tha se ekspozita i kushtohet punës së Visar Kryeziut në dokumentimin e historisë së Kosovës.
“Ky nuk është vetëm ditari i Visarit. Është ditari ynë i dhimbjes, qëndresës, sakrificës dhe shpresës së një populli”, ka shkruar Rama.
Ekspozita është hapur disa ditë para Marshit për Liri, i cili do të mbahet më 12 shtator në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.