Lladrovci nga Negroci: “Zjarri i Lirisë” është porosi për drejtësi dhe lirimin e heronjve të luftës

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka përcjellë një mesazh nga Negoci, vendlindja e ish-komandantit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, në kuadër të aktivitetit “Zjarri i Lirisë”.

Lladrovci ka thënë se ndezja e zjarrit në këtë fshat simbolizon qëndrueshmërinë e kërkesës për drejtësi dhe shpresën për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me proces gjyqësor në Hagë.

“Ky ‘Zjarri i Lirisë’, lë të jetë porosi se zjarri i zemrave tona për drejtësi, nuk ndalet”, ka shkruar Lladrovci.

Ai ka përmendur Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, duke i cilësuar si pjesë të historisë së Kosovës.

“Heronjtë tanë të luftës dhe paqes, Hashimi, Kadriu, Jakupi dhe Rexha, kanë qenë, janë dhe mbesin historia jonë e gjallë, historia që flet çdo ditë, në shtetin tonë, Republikën e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Sipas Lladrovcit, simbolika e “Zjarrit të Lirisë” në Negroc lidhet drejtpërdrejt me kërkesën për drejtësi.

“Zjarri i lirisë nga Negroci, është zjarr që mban gjallë shpresën tonë për drejtësi dhe lirimin e heronjve tanë të luftës dhe paqes”, ka shkruar ai.

Lladrovci ka bërë thirrje për lirimin e tyre, duke i cilësuar të pafajshëm.

“Në emër të popullit, shpalleni të pafajshëm!”, përfundon mesazhi i tij.