Gërvalla për nderimet ndaj Mlladiqit: Kjo është tallje me Evropën

Ministrja në detyrë e Drejtësisë e Kosovës, Donika Gërvalla, ka reaguar ashpër pas ceremonisë së varrimit të ish-komandantit serb të Bosnjës, Ratko Mlladiq, duke kritikuar institucionet e Serbisë për nderimet shtetërore dhe ushtarake që iu bënë të dënuarit për gjenocid në Srebrenicë.

Gërvalla tha se pjesëmarrja e zyrtarëve të lartë serbë në ceremoninë mortore dhe nderimet e bëra ndaj Mlladiqit përbëjnë, sipas saj, një akt të rehabilitimit politik të një krimineli të dënuar nga drejtësia ndërkombëtare.

“Dje në Beograd pati krisma nderi mbi arkivolin e xhelatit të Srebrenicës, Mlladiqit. Kriminelit të luftës, i dënuar për gjenocid në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte”, deklaroi Gërvalla.

Ajo e cilësoi të papranueshme pjesëmarrjen e ministrit serb të Drejtësisë, Nenad Vujiq, në ceremoninë për Mlladiqin.

“Po e them si Ministre e Drejtësisë, dhe po e them troç: ky njeri nuk duhet kurrë më të lejohet të ulet në asnjë tryezë ku përmendet fjala drejtësi. Jo në Bruksel. Jo në Berlin. Jo në Strasburg. Askund!”, u shpreh ajo.

Gërvalla kritikoi edhe Bashkimin Evropian për qasjen ndaj Serbisë, duke thënë se Brukseli duhet të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj veprimeve të Beogradit.

“Bashkimi Evropian nuk duhet të vazhdojë të jetë i shurdhër dhe i verbër ndaj Serbisë. Problemi nuk është më se çfarë bën Beogradi, por sa gjatë Brukseli do të vazhdojë ta tolerojë atë”, tha Gërvalla.

Sipas saj, toleranca e vazhdueshme ndaj Serbisë ka kontribuar në normalizimin e mohimit të gjenocidit dhe glorifikimit të personave të dënuar për krime lufte.

“Në Bruksel flasin për Kapitullin 23. Në Beograd shtinë krisma nderi mbi arkivolin e një krimineli të gjenocidit. Në Bruksel flasin për sundimin e ligjit. Në Beograd shteti e kthen një të dënuar për gjenocid në figurë nderi”, deklaroi ajo.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë e Kosovës e cilësoi këtë situatë si të papajtueshme me rrugën evropiane të Serbisë.

“Kjo nuk është rrugë drejt Evropës. Kjo është tallje me Evropën”, tha Gërvalla.

Ajo dënoi ashpër nderimet ndaj Mlladiqit, duke i cilësuar si fyerje ndaj viktimave dhe përbuzje ndaj drejtësisë ndërkombëtare.

“E dënoj këtë akt në termat më të ashpër politikë dhe moralë sepse nderimi shtetëror i Mlladiqit është fyerje ndaj viktimave, përbuzje ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe akt i hapur i rehabilitimit politik të një ideologjie kriminale”, tha ajo.