Inspektorati i vendos shiritat restorantit dhe hotelit “Liqeni i Dukagjinit” në Gjakovë
Inspektorati i Mjedisit ka vendosur shiritat e mbylljes në restorantin dhe hotelin “Liqeni i Dukagjinit” në Gjakovë.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli, e cila tha se me këtë veprim i është dhënë fund veprimtarisë që, sipas saj, zhvillohej në mënyrë të kundërligjshme në zonën e mbrojtur të Liqenit të Radoniqit.
“Si Ministri, do të vazhdojmë të veprojmë me vendosmëri për mbrojtjen e ujërave dhe zonave të mbrojtura të Kosovës”, ka deklaruar Pacolli.
Ajo ka theksuar se uji i pijshëm është pasuri publike dhe se mbrojtja e tij nuk mund të jetë objekt kompromisi.
Pacolli nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me shkeljet konkrete që kanë çuar në mbylljen e objektit.