Faton Peci zgjidhet kryetar i Partisë Guxo, Donika Gërvalla largohet nga bashkë drejtimi

Partia Guxo ka njoftuar sot se ka mbajtur të hënën Kuvendin e II të Rregullt Zgjedhor, në 4-vjetorin e themelimit të saj, ku janë zgjedhur organet e reja drejtuese për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

Gjatë punimeve të Kuvendit, bashkëkryetarja e deritanishme, Donika Gërvalla, propozoi Faton Pecin për kryetar të partisë, ndërsa njoftoi delegatët se ka vendosur të largohet nga udhëheqja e përbashkët, transmeton Zeri.info.

Gërvalla tha se vendimi lidhet me nevojën për ta përqendruar angazhimin e saj në përgjegjësitë institucionale dhe në proceset e reformës në drejtësi.

“Përgjegjësia që kam si ministre e Drejtësisë kërkon përkushtimin tim maksimal. Siç e dini, para nesh kemi një punë të jashtëzakonshme dhe beteja që nuk mund të zhvillohen përgjysmë. Reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, forcimi i shtetit ligjor dhe shumë procese të tjera vendimtare për Republikën e Kosovës kërkojnë çdo ditë energjinë, kohën dhe angazhimin tim të plotë”, u shpreh Gërvalla.

Pas propozimit, delegatët e Kuvendit të II të Rregullt Zgjedhor, me shumicë absolute të votave, zgjodhën Faton Pecin kryetar të Partisë Guxo.

Pas zgjedhjes, Peci falënderoi delegatët për besimin e dhënë, ndërsa vlerësoi kontributin e Donika Gërvallës në themelimin dhe fuqizimin e partisë.

Ai vlerësoi gjithashtu kontributin e saj institucional dhe politik për Republikën e Kosovës, si dhe angazhimin për forcimin e pozitës së Kosovës brenda dhe jashtë vendit.

Në fjalën e tij, Peci shprehu vendosmërinë për të vazhduar rrugëtimin politik të Partisë Guxo dhe partneritetin qeverisës, me fokus në fuqizimin e shtetit, forcimin e sigurisë, zhvillimin ekonomik, integrimin e Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian, ruajtjen e sovranitetit dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

Gjatë punimeve u miratua edhe Deklarata Politike e Partisë Guxo, përmes së cilës partia riafirmoi përkushtimin për një partneritet parimor në shërbim të Kosovës si shtet sovran, me integritet të plotë dhe të pacenueshëm.

Në deklaratë, Guxo rikonfirmon synimin për ndërtimin dhe forcimin e shtetit ligjor, barazinë e qytetarëve para ligjit dhe funksionimin e institucioneve demokratike në shërbim të qytetarëve.

Partia ka kritikuar gjithashtu atë që e cilëson si “bllokadë dyvjeçare” në krijimin e institucioneve, duke vlerësuar se kjo i ka shkaktuar dëm vendit, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në pozicionimin ndërkombëtar.

Guxo ka bërë thirrje për respektimin e frymës kushtetuese dhe krijimin e institucioneve funksionale, duke theksuar nevojën për përgjegjësi politike ndaj qytetarëve dhe shtetit.

“Fryma mbi bazën e së cilës është krijuar, hartuar dhe miratuar Kushtetuta e Republikës së Kosovës kërkon pashmangshëm kompromis, pjesëmarrje, përgjegjësi institucionale dhe respektim të vullnetit të shumicës”, thuhet në Deklaratën Politike.

Kuvendi i II-të i Rregullt Zgjedhor zgjodhi edhe Këshillin e Përgjithshëm të Partisë Guxo, duke përmbyllur procesin zgjedhor dhe duke vendosur bazat për organizimin politik të partisë në mandatin e ardhshëm. /Zëri