Shpërthim në një bazë ushtarake në Bolivi, 7 të vdekur - 7 të zhdukur

Autoritetet boliviane konfirmuan të hënën se shtatë persona kanë humbur jetën pas një shpërthimi të fuqishëm të premten në një kazermë ushtarake në komunën Viacha, rreth 30 kilometra nga La Paz.

Komandanti i Ushtrisë, Hector Alarcon, bëri të ditur se shtatë persona të tjerë vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur.

“Prioriteti ynë mbetet gjetja e kolegëve tanë që ende mungojnë dhe t’u japim përgjigje familjeve të tyre sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Alarcon në një konferencë për media.

Ministrja e Shëndetësisë, Marcela Flores, deklaroi se që nga shpërthimi janë trajtuar 84 persona, ndërsa 31 prej tyre vazhdojnë të jenë të shtruar në spital, shkruan Reuters.

Presidenti i Bolivisë, Rodrigo Paz, tha se shkaku i saktë i shpërthimit është ende nën hetim, por dyshohet se incidenti mund të ketë ndodhur aksidentalisht si pasojë e trajtimit të papërshtatshëm të eksplozivëve të ruajtur në objektin ushtarak.

“ Forcat tona të Armatosura po rishikojnë protokollet dhe gjithçka që nevojitet për të rritur sigurinë, jo vetëm për ushtarët dhe oficerët, por edhe për banorët që jetojnë pranë bazave ushtarake”, tha Paz.

Presidenti njoftoi gjithashtu shpalljen e një periudhe zie kombëtare dhe u bëri thirrje qytetarëve që të mos e politizojnë tragjedinë.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 14:30 të së premtes, në një zonë të kazermës që përdorej për ruajtjen e materialeve piroteknike, njoftuan autoritetet.