KE: Glorifikimi i kriminelëve dhe mohimi i gjenocidit s’kanë vend në BE

Komisioni Evropian ka reaguar lidhur me ceremoninë e varrimit të kriminelit Ratko Mlladiq, ish-komandant i ushtrisë së Republikës Sërpska, duke theksuar se glorifikimi i kriminelëve të luftës dhe mohimi i gjenocidit janë në kundërshtim me vlerat themelore evropiane.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Christian Wigand, tha se glorifikimi i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi nuk kanë vend as në Bashkimin Evropian dhe as në vendet që synojnë anëtarësimin në bllok.

Në një deklaratë të KE-së, Wigand rikujtoi se Mlladiqi ishte dënuar për krime lufte, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

“Ratko Mlladiqi vdiq derisa po vuante dënimin me burgim të përjetshëm për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në Srebrenicë. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë e dënoi me burgim të përjetshëm në vitin 2017, duke i përshkruar krimet e tij si ndër më të rëndat të njohura nga njerëzimi”, deklaroi Wigand.

Ai theksoi se konfliktet e armatosura në Ballkanin Perëndimor gjatë viteve ’90 përbëjnë një nga periudhat më të errëta të historisë së fundit të Evropës.

Sipas tij, pajtimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore në rajon mbeten thelbësore për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët.

“Shprehim solidaritetin tonë me të gjitha viktimat, të mbijetuarit dhe familjet e tyre që kanë vuajtur nga krimet e luftës në vendet e ish-Jugosllavisë”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian.

Ai shtoi se BE-ja mbetet partner i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor për të mbështetur përpjekjet e tyre për pajtim, stabilitet rajonal dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Ratko Mlladiqi, i cili vdiq më 27 gusht në Hagë në moshën 84-vjeçare, po vuante dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë. /rtk