Ahmeti: Kosova po humb terren krahas shteteve të rajonit
Drejtori ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Kushtrim Ahmeti, ka paralajmëruar se Kosova tashmë ka humbur këstin e parë të mjeteve nga Plani i Rritjes dhe rrezikon humbjen e kësteve të tjera nëse nuk përmbush në kohë kushtet e përcaktuara nga Bashkimi Evropian.
“Në anën tjetër, jemi të rrezikuar vazhdimisht nga humbja e fondeve të Planit të Rritjes. Këstin e parë e humbëm dhe prapë jemi në rrezik, për shkak se ne po vonohemi në formimin e institucioneve të cilat janë vitale për vazhdimin më tej, ose plotësimin e kushteve që BE-ja ia ka dhënë Kosovës sa i përket hapjes së derës për t’i marrë këto fonde”.
Sipas tij, Kosova ka pasur në dispozicion mbi 800 milionë euro nga Plani i Rritjes, ndërsa vetëm kësti i parë, sipas tij, ishte mbi 70 milionë euro.
“Këstin e parë, nëse s’gabohem, mbi 70 milionë euro, e humbëm. Ne kemi pasur një komunikim këto kohët e fundit me BE-në në lidhje me këtë çështje, po ata vazhdojnë të hezitojnë për të dhënë detaje se sa mund të humbasim.
Thonë ne jemi duke i parë dokumentet që i ka dërguar Kosova. Po përmend gjithmonë atë elementin e një lloj thirrjeje që Kosova duhet ta zgjidhë sa më shpejt krizën politike, në mënyrë që të ecë përpara me miratimin ose reformimin e ligjeve”.
Ahmeti ka theksuar se mungesa e një Qeverie dhe Kuvendi funksional po lë pezull edhe një numër ligjesh të rëndësishme. Në mesin e tyre, sipas tij, është edhe Ligji për Pronën Publike, për ndryshimin e të cilit kishte nisur puna, por procesi tashmë është pezulluar.
Shqetësim përbën edhe funksionimi i bordeve të institucioneve dhe ndërmarrjeve publike. Z. Ahmeti ka përmendur Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale, Autoritetin Kombëtar të Çmimeve dhe Zyrën e Rregullatorit për Energji, duke theksuar se disa prej tyre kanë mbetur pa borde funksionale.
Sipas tij, ndërsa vendet e rajonit po garojnë për investime dhe për avancim në procesin e integrimit evropian, Kosova po humb terren.
“Vendet e tjera janë duke luftuar që të mbërrijnë më shpejt, qoftë edhe në marrjen e ftesës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, po edhe plotësimin e kushteve për lëvizje përpara. Ne jemi shumë, shumë mbrapa”.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka ngritur shqetësime edhe për gjendjen me të cilën po përballen bizneset. Sipas të dhënave të paraqitura nga kjo organizatë, bizneset kanë raportuar rënie të shitjeve deri në 20% dhe rënie të fitimeve.
Në mesin e shqetësimeve të prodhuesve janë edhe çmimet e larta të lëndës së parë dhe produkteve bujqësore, rritja e kostove të energjisë dhe kostove të tjera të prodhimit, konkurrenca e produkteve të importuara, problemet në inkasimin e borxheve dhe kërkesa që pagesa e TVSH-së të lidhet me momentin e inkasimit të faturave. /Monitor.al