Shkollat ende pa ditarë, Elshani: Përgjegjësia i takon ekskluzivisht Ministrisë së Arsimit

Viti i ri shkollor ka nisur, nxënësit janë kthyer në banka, por mësimdhënësit ende po përballen me mungesën e njërit prej mjeteve bazë të punës, ditarëve shkollorë.

Në javën e parë të mësimit, orët, mungesat dhe të dhënat tjera nuk kanë pasur se ku të evidentohen.

Lidhur me këtë problematikë, drejtori i Arsimit në Prishtinë, Arianit Elshani ka deklaruar se të gjitha shkollat e kryeqytetit kanë mungesë të ditarëve.“Jemi në pritje më shumë se një javë, këto gjëra do të duhej të përfundonin para 1 shtatorit, para se të fillonte procesi mësimor, dhe jemi në pritje, pra është një papërgjegjësi në raport me këto materiale”, u shpreh Elshani në Klan Kosova.

“Këto janë procedura që janë zhvilluar prej Ministrisë së Arsimit, në kuptimin e tenderimit dhe procedurave të tjera që i kanë në raport me këto materiale. Është ekskluzivisht përgjegjësi e kësaj ministrie”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, gazetarja e Klan Kosovës, Dafina Jegeni tha se nuk ka pasur një mungesë kaq të gjatë të ditarëve viteve të kaluara.

“Unë edhe sot kam dyshime që ditarët do të jenë në duart e mësimdhënësve”, u shpreh Jegeni.