Prekazi pret drejtësinë
Për afro tri dekadash emrat e atyre që dyshohen për krimet në Prekaz nuk janë përballur me asnjë gjykatë.
Ata kanë vazhduar jetën në shtetin serb, derisa plagët e krimeve të tyre vazhdojnë të jenë të hapura tek familjet e viktimave.
Andaj, ngritjen e aktakuzës për krimet e luftës në Prekaz, njohës të drejtësisë e shohin si hap të rëndësishëm për dënimin e kriminelëve serbë.
Ata thonë se gjykimi i tyre do të bëhet në mungesë, teksa shprehen se prokuroria po punon që drejtësia të vihet në vend edhe për krimet tjera serbe në Kosovë. Në këtë fazë, kërkohet edhe presion ndërkombëtar ndaj Serbisë.
Gati tri dekada pas krimit serb, drejtësia në Kosovë ka hapur një kapitull të ri, ngritjen e aktakuzës ndaj 35 të pandehurve të cilët kishin pozita të larta komanduese në strukturat e njësive speciale të policisë serbe.
Njohës të drejtësisë thonë Kosova ka prova të mjaftueshme për krimet në Prekaz, andaj edhe drejtësia do të vihet në vend.
Sipas tyre, pasi Serbia nuk do t'i ekstradojë në Kosovë kriminelët e luftës, drejtësia vendore duhet ta kryej gjykimin e tyre në mungesë.
“Gjykimi do të zhvillohet në mungesë, mirëpo me të gjitha garancitë procedurale për të pandehurit, nga se atyre do t'ju caktohet nga një avokat eksoficio sipas detyrës zyrtare ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Kosovës, Konventa për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Kodi i Procedurës Penale i Kosovës. Për krimet kryesore të kryera për masakrat e mëdha veçse janë ngritur aktakuzat ku të pandehurit janë duke u gjykuar në mungesë, po mendoj se Prokuroria Speciale e cila i ka në kompetencë krimet e luftës është duke bërë maksimumin për të sjellë kryerësit para drejtësisë”, ka thënë Artan Qerkini, avokat.
Por përtej aspektit procedural, avokatët kërkojnë angazhim edhe ndërkombëtar.
Sipas tyre, Serbia duhet të hapë arkivat në mënyrë që të gjithë ata që janë përfshirë në krimet e luftës në vend të dalin para drejtësisë.
“Serbia ka arkivat e strukturave të motorizuara të saj të cilat kanë kryer krime në Kosovë dhe të cilat duhet të hapen. Por hapja e këtyre arkivave do të nënkuptonte edhe daljen para drejtësisë të personave që kanë qenë përgjegjës e të cilat janë të lidhur drejtpërdrejt me shtetin serb. Pra, këtu nuk ka pasur vrasje sporadike, këtu ka pasur vrasje të organizuar, eliminim të organizuar dhe me qëllim të qartë spastrimin etnik të Kosovës dhe gjenocid”, ka thënë për Rtk-në, Dorajet Imeri, profesor dhe njohës i sigurisë.
“Natyrisht se është një aktakuzë mjaft e rëndësishme për popullin dhe shtetin e Kosovës dhe pas aktit akuzues pason gjykimi në mungesë ndaj këtyre individëve të inkriminuar, të akuzuar për veprimtarinë e organizimit, orkestrimit dhe kryerjes së agresionit, pra sulmit në Prekaz”, ka thënë Musa Damati, avokat.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale thotë se në zbatim të planit për krime lufte në lagjen e Jasharëve, nga fillimi i muajit janar të vitit 1998 e deri në përfundim të sulmit të armatosur pas datës 7 mars 1998, lagjja ishte nën vëzhgim dhe kontroll të vazhdueshëm nga Njësia për Operacione Speciale, e udhëhequr nga komandanti i saj, i pandehuri Millorad Ulemek i njohur me nofkën “Legia”.
Forcat serbe më 5, 6 e 7 mars 1998 rrethuan lagjen e Jasharëve, vranë civilë, duke përfshirë gra e fëmijë, dhe morën peng e keqtrajtuan të mbijetuarit.