Raphinha e barazon rekordin e Messit, me golin ndaj Valencias
Raphinha është në ‘zjarr’. Braziliani shënoi golin e tretë të Barcelonës ndaj Valencias në “Mestalla”, duke arritur në gjashtë gola në katër ndeshjet e para të tij në La Liga këtë sezon dhe duke iu bashkuar legjendës së klubit, Lionel Messi, në një listë të jashtëzakonshme.
Sipas “Mundo Deportivo”, Raphinha është vetëm lojtari i dytë në këtë shekull që shënon gjashtë gola në katër ndeshjet e para të ekipit të tij në një sezon të vetëm të La Ligës.
I pari që e kishte arritur këtë ishte Messi, i cili e bëri këtë dy herë me Barcelonën.
Dy herët kur Messi shënoi gjashtë gola në katër ndeshjet e para erdhën në sezonet 2012/13 dhe 2013/14.
Në të dyja rastet, argjentinasi realizoi nga gjashtë gola në katër takimet e para. Vite më vonë, Raphinha e ka barazuar këtë arritje, duke konfirmuar një nisje të jashtëzakonshme në aspektin ofensiv me klubin katalanas.
Ai e nisi sezonin me dy gola ndaj Elches, më pas shënoi kundër Athletic Bilbaos dhe realizoi edhe dy gola të tjerë ndaj Rayo Vallecanos. Goli ndaj Valencias e çoi në kuotën e gjashtë golave dhe e vendosi të vetëm në krye të listës së golashënuesve të La Ligës, një gol mbi sulmuesin e Rayo Vallecanos, Camello.
Por barazimi i rekordit të Messit nuk është fundi. Tashmë Raphinhës i është shfaqur mundësia për të shkruar një tjetër faqe në historinë e Barcelonës: të shënojë në pesë ndeshje radhazi, diçka që në La Liga e kanë arritur vetëm César Rodríguez dhe Zlatan Ibrahimovië me fanellën e Barcelonës.