27-vjetori i Policisë së Kosovës, Sveçla: Nderim për pjesëtarët që dhanë jetën në krye të detyrës
Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, mori pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e 27-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.
Në fjalën e tij, Sveçla vlerësoi punën, përkushtimin dhe sakrificën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, duke theksuar rëndësinë e profesionalizmit dhe guximit në shërbim të qytetarëve dhe shtetit.
“Policia ka dëshmuar se profesionalizmi, guximi dhe përkushtimi janë në shërbim publik dhe janë vlera mbi të cilat ndërtohet besimi i qytetarëve dhe forcohet shteti. Policia e Kosovës ka ndërtuar një histori të pasur institucionale, të shoqëruar me etapa të rëndësishme, sfida të shumta dhe përgjegjësi gjithnjë e më të mëdha”.
“Pavarësisht ndryshimeve dhe rrethanave të kohës, një gjë ka mbetur e pandryshuar, misioni i saj për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, për të mbrojtur qytetarët dhe për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.
Në këtë përvjetor u vlerësua kontributi i Policisë së Kosovës në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ndërsa në mënyrë të veçantë u përkujtuan pjesëtarët e saj që humbën jetën në krye të detyrës.
“Në këtë 27-vjetor kujtojmë me respekt të thellë pjesëtarët e Policisë së Kosovës që dhanë jetën në krye të detyrës. Ata janë pjesë e pandashme e historisë së këtij institucioni dhe dëshmia më e lartë e përkushtimit ndaj qytetarëve dhe Republikës”, deklaroi ai.