Mot i ngrohtë gjatë javës, të enjten priten reshje shiu

Moti në Kosovë gjatë javës së ardhshme pritet të jetë kryesisht i qëndrueshëm, i ngrohtë dhe me shumë intervale me diell, ndërsa temperaturat do të jenë mbi vlerat tipike për fillimin e shtatorit.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), të hënën dhe të martën temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 31°C dhe 32°C, ndërsa të mërkurën pritet dita më e ngrohtë, me temperatura deri në 33°C, veçanërisht në Prizren dhe Gjakovë.

Të enjten, më 10 shtator, moti do të jetë më i ndryshueshëm. Krahas intervaleve me diell dhe vranësirave, priten reshje shiu, lokalisht të shoqëruara me shkarkime rrufesh. Temperaturat maksimale do të lëvizin nga 27°C deri në 31°C.

Pas reshjeve, të premten temperaturat do të shënojnë rënie të lehtë. Temperaturat maksimale pritet të lëvizin nga 25°C deri në 30°C, ndërsa në zonat malore rënia do të jetë më e theksuar.

IHMK bën të ditur se kushtet biometeorologjike do të jenë përgjithësisht të favorshme, megjithëse temperaturat e larta gjatë ditës, sidomos të martën dhe të mërkurën, mund të shkaktojnë ngarkesë të shtuar termike te personat e ndjeshëm ndaj nxehtësisë.

Ndërkohë, indeksi UV do të jetë i lartë, veçanërisht gjatë mesditës në ditët me diell. IHMK rekomandon shmangien e ekspozimit të zgjatur në diell nga ora 11:00 deri në 16:00, përdorimin e mbrojtjes nga rrezatimi UV dhe hidratimin e mjaftueshëm.