Zelensky dhe Putin ndalojnë sulmet, armëpushim treditor mes Kievit dhe Moskës

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi të shtunën se Ukraina është e gatshme të ndalojë sulmet ajrore ndaj Moskës, në kuadër të një armëpushimi të përkohshëm gjatë zhvillimit të bisedimeve të paqes të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara.

Në një postim në rrjetin social X, Zelensky tha se kishte biseduar me të dërguarit amerikanë, të cilët kanë mbërritur në Moskë, dhe se pas kësaj bisede Ukraina do të respektojë një armëpushim të përkohshëm.

“Që nga tani deri në fund të së shtunës, si dhe të dielën dhe të hënën, Ukraina është e gatshme të përmbahet nga sulmet ndaj Moskës dhe presim që rusët të bëjnë të njëjtën gjë lidhur me Kievin”, u shpreh Zelensky, transmeton RTSH

Deklarata e presidentit ukrainas erdhi pasi Kremlini njoftoi se presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar ndalimin treditësh të sulmeve ndaj Kievit, duke filluar nga mesnata, sipas kohës lokale.

Vendimi u raportua nga agjencia ruse e lajmeve “Interfax”, duke cituar zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov.

Më herët gjatë ditës, i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, mbërritën në Moskë për bisedime që synojnë arritjen e një marrëveshjeje për përfundimin e konfliktit Rusi-Ukrainë, i cili ka zgjatur më shumë se katër vjet.

Të dërguarit amerikanë pritet të vizitojnë të dielën Kievin, pas qëndrimit të tyre në kryeqytetin rus.

Presidenti Trump kishte deklaruar të premten se Witkoff dhe Kushner nuk do të shkonin me ide të reja, por me një propozim konkret që synon t’i japë fund luftës.

“Ata po marrin me vete një propozim për t’i dhënë fund luftës”, kishte thënë Trump.