Zjarret në Shqipëri, Ministria e Mbrojtjes: 21 vatra, 11 aktive dhe 5 nën mbikëqyrje

Ministria e Mbrojtjes ka publikuar përditësimin e fundit mbi situatën e zjarreve në vend, referuar orës 20:00 të 5 shtatorit. Gjatë ditës janë raportuar 21 vatra zjarri, nga të cilat 11 mbeten aktive, 5 janë nën mbikëqyrje dhe 5 janë fikur.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 587 forca operacionale vendore, 52 automjete zjarrfikëse, si dhe 550 efektivë dhe 7 automjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura. Mbështetja nga ajri është realizuar me 4 helikopterë dhe 1 avion Air Tractor.

Në Fier, vatrat në Drizë/Radostinë, Vadhizë, Peshtan dhe Levan vijojnë të jenë aktive. Në terren janë angazhuar 13 automjete zjarrfikëse, 4 autobote, 55 efektivë, 90 forca të Policisë së Shtetit dhe 104 forca ushtarake, me mbështetjen e një helikopteri dhe një avioni Air Tractor.

Në Shkodër, zjarri në Bardhaj mbetet aktiv, ndërsa në operacion janë angazhuar 5 automjete zjarrfikëse, strukturat vendore, si dhe Forcat e Armatosura me një automjet zjarrfikës dhe një helikopter.

Në Mat, vijon operacioni në zonat Lundre dhe Madhesh, me mbështetjen edhe të 30 efektivëve të Forcave të Armatosura.

Ndërkohë, zjarri në lagjen “1 Maji” në Himarë është fikur pas një angazhimi të gjerë të forcave vendore, policore dhe vullnetare. Në operacion u angazhuan 26 automjete zjarrfikëse, 183 efektivë, 2 automjete zjarrfikëse dhe 2 ambulanca, si dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, janë djegur 6 banesa, prej të cilave 3 të banuara, ndërsa 36 persona janë evakuuar.

Në Dajt, një vatër vijon të jetë aktive, ku janë angazhuar 30 forca vendore dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura. Ndërkohë, vatra në Qinami mbahet nën mbikëqyrje dhe nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.

Vatra aktive raportohen gjithashtu në Vajkal, Mallunxë–Lis, Gallatë, Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, Krastë të Elbasanit, Iballë dhe Krepse, ndërsa në disa zona të tjera vijon monitorimi. Në Mavrovë të Selenicës dhe në malin “Partizan” në Berat, zjarret janë fikur.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve./Euronews Albania