Italia përfshihet nga vala e gjashtë e të nxehtit

Një valë e gjashtë e të nxehtit ka goditur Italinë me temperatura që në disa zona mund të arrijnë

Sipas Lorenzo Tedicit, meteorolog dhe përgjegjës për median pranë iLMeteo.it, fakti që tashmë jemi në muajin shtator do të ndihmojë që temperaturat të mos arrijnë nivele edhe më ekstreme. Ditët janë më të shkurtra dhe rrezatimi diellor është më i dobët krahasuar me solsticin e verës.

Megjithatë, nga 4 deri më 9 shtator pritet një anomali termike deri në 8°C mbi mesataren sezonale.

Në Milano, temperaturat mund të arrijnë 34-35°C, duke iu afruar rekordit absolut të muajit shtator prej 34,6°C, të regjistruar në Brera më 1 shtator 2024.

Në Romë, temperaturat maksimale pritet të lëvizin nga 35 deri në 36°C, duke iu afruar rekordit mujor prej 35,6°C, i regjistruar më 3 shtator 1982 dhe më 7 shtator 2024.

Por, sipas meteorologut, shqetësimi kryesor nuk është vetëm vala e menjëhershme e të nxehtit. Deti Mesdhe po ruan një sasi shumë të madhe nxehtësie, e cila mund të bëhet një burim energjie për fenomene të forta atmosferike gjatë muajve të ardhshëm.

Kur masat e para të ajrit të ftohtë nga Atlantiku të përplasen me ujërat shumë të ngrohta të Mesdheut, mund të krijohen kushte për stuhi të fuqishme, reshje intensive dhe përmbytje të shpejta gjatë vjeshtës.  /atsh