Miqësia dhe socializimi, faktorë të rëndësishëm për jetëgjatësinë
Miqësitë dhe marrëdhëniet e qëndrueshme shoqërore mund të kenë ndikim të rëndësishëm në shëndetin dhe jetëgjatësinë e njeriut.
Sipas një analize të publikuar nga Salute.it, banorët e të ashtuquajturave “Blue Zones”, zona të njohura për jetëgjatësinë e lartë të banorëve, kanë zakone të ndryshme ushqimore, por një element të përbashkët – marrëdhëniet e forta shoqërore.
Në zona si Sardenja, Okinawa, Ikaria dhe gadishulli i Nicoyas, ku ka përqendrim të lartë të njerëzve që jetojnë deri në moshë shumë të shtyrë, banorët kanë rrjete të forta familjare dhe shoqërore.
Mjeku Massimo Spattini, specialist në mjekësinë sportive dhe shkencat e ushqyerjes, thotë se rrjeti i miqve, fqinjëve dhe familjarëve ofron mbështetje emocionale, ndihmë praktike dhe ndjenjë përkatësie.
“Truri i njeriut është biologjikisht i programuar për bashkëpunim dhe lidhje sociale. Miqësia nuk është luks, por një nga shtyllat e jetëgjatësisë”, ka deklaruar Spattini.
Vetmia dhe ndikimi në shëndet
Sipas ekspertëve, izolimi social dhe vetmia nuk ndikojnë vetëm në mirëqenien psikologjike, por mund të lidhen edhe me pasoja në shëndetin fizik.
Një rrjet i mirë social lidhet me nivele më të ulëta të stresit kronik, depresionit, rënies së funksioneve njohëse dhe sëmundjeve kardiovaskulare. Marrëdhëniet pozitive mund të ndikojnë edhe në funksionimin e sistemit imunitar dhe në nxitjen e zakoneve më të shëndetshme.
Sipas Spattinit, studime të shumta kanë treguar se personat me marrëdhënie të forta shoqërore kanë tendencë të jetojnë më gjatë dhe të sëmuren më pak.
Një studim i kryer në 22 shtete me rreth 200 mijë persona, i publikuar në “Journal of Mental Health”, ka shqyrtuar ndikimin e socializimit në shëndetin mendor dhe fizik.
Ndërkaq, një analizë e më shumë se 148 studimeve ka gjetur se njerëzit me pak marrëdhënie shoqërore mund të kenë një rrezik shëndetësor të krahasueshëm me atë të faktorëve të njohur të rrezikut.
Hapësirat publike ndihmojnë socializimin
Ekspertët theksojnë se krijimi i hapësirave ku njerëzit mund të takohen dhe të ndërveprojnë është i rëndësishëm për mirëqenien e komunitetit.
Lagjet e përshtatshme për jetesë, sheshet, parqet, bibliotekat, tregjet, shoqatat dhe aktivitetet e përbashkëta krijojnë më shumë mundësi për takime dhe lidhje të reja.
Socializimi mbetet i rëndësishëm gjatë gjithë jetës. Sipas ekspertëve, edhe në moshë të shtyrë është e mundur të krijohen miqësi të reja, ndërsa aktivitetet në grup, vullnetarizmi, kurset, aktivitetet kulturore e artistike dhe aktivitetet fizike mund të ndihmojnë në shmangien e izolimit.
Psikiatri Paolo Crepet vlerëson se shoqëria moderne po përballet me më pak hapësira fizike për takime, ndërsa teknologjia dhe rrjetet sociale kanë ndryshuar mënyrën e komunikimit.
Ekspertët bëjnë thirrje për më shumë mundësi që njerëzit të takohen drejtpërdrejt, duke theksuar se vetmia nuk duhet parë si një pasojë e pashmangshme e plakjes, por si një faktor që mund të ndryshohet.