Shala: Veriu mbetet i brishtë, Serbia po tenton të krijojë situata artificiale në Kosovë
Veriu i Kosovës vazhdon të zbulojë gjurmë të një të kaluare të armatosur. Gjetja e arsenalëve të armëve dhe bazave të përdorura nga strukturat paralele po ngre pikëpyetje të reja për nivelin e sigurisë në këtë pjesë të vendit dhe për rrezikun që mund të paraqesin ato edhe në të ardhmen.
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala ka deklaruar se gjetja e vazhdueshme e armatimeve dhe bazave të përdorura më herët nga strukturat paralele të Milan Radoiçiqit dhe Serbia në pjesën veriore të Kosovës, tregon për një situatë të brishtë të sigurisë në këtë pjesë të vendit.
“Sa i përket gjetjes së armatimeve dhe bazave të cilat kanë shërbyer në të kaluarën struktura paralele të Radoiçiç-it dhe shtetit të Serbisë, tanimë Policia e Kosovës dhe Inteligjenca kosovare, duke bashkërenduar veprimet e tyre operative dhe duke komunikuar me qytetarët, kanë arritur që të lokalizojnë me dhjetëra baza të cilat janë shfrytëzuar nga këto struktura”, tha Shala.
Ai shtoi se gjetja e këtyre bazave dëshmon se situata në veri vazhdon të jetë e brishtë, ndërsa akuzoi Serbinë se po tenton të krijojë një situatë artificiale në këtë pjesë të Kosovës.
“Dhe njëherësh e dëshmon faktin që pjesa veriore mbetet një situatë kaotike në kuptimin e veprimeve që Serbia në mënyrë sistematike tenton ta krijojë si një situatë të re, artificialisht të krijuar nga ana e tyre si ngjarje në pjesën veriore, janë veprime që janë duke shtyrë serbët të largohen nga territori i Republikës së Kosovës me veprimet policore. Prandaj, shteti i Kosovës ka dëshmuar në këtë aspekt profesionalizmin e tyre dhe kjo si rezultat ka ngritur nivelin e bashkëpunimit edhe me faktorin ndërkombëtar, duke i marrë përgjegjësitë e reja nga vetë KFOR-i për pjesën veriore jo vetëm te çështja e urës, por edhe te çështja e brezit kufitar dhe veprime të tjera”, tha Shala.
Sipas tij, siguria në veri lidhet edhe me nivelin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës, shkëmbimin e informacioneve dhe rrezikun që, sipas tij, vazhdon të vijë nga Serbia.
“Dhe kjo mund ta përkufizojmë me një element esencial: profesionalizmi, veprimet profesionale, njëkohësisht shkëmbimi i informacioneve, por edhe rreziku permanent që është nga pala serbe, sepse ne e dimë që Serbia ka një doktrinë të cilën tanimë e ka adaptu nga pjesa ruse. Sepse në të kaluarën ju e dini fare mirë që vendet e Evropës tanimë janë në atak të drejtpërdrejtë nga dronët e ndryshëm. Madje edhe Gjermania ditët e fundit ka ftuar një konferencë për media dhe ka dëshmuar sulmin mbi infrastrukturën kritike, ku si rezultat i saj, jozyrtarisht ka ftuar ambasadorin gjerman për t’i dhënë një notë verbale”, deklaroi eksperti i sigurisë për Ekonomia Online.
Shala paralajmëroi se veprime të ngjashme me ato që po vërehen në Evropë mund të përdoren edhe ndaj Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, duke e lidhur këtë me procesin e militarizimit të Serbisë.
“Dhe gjitha këto veprime që ne i shohim në aspektin evropian, ne domosdo Serbia do t’i përdorë edhe ndaj Republikës së Kosovës edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, sepse militarizimi ushtarak që është duke ndodhur nga ana e Serbisë e dëshmon faktin që është duke u përgatitur për një situatë më të favorshme në kohë që ajo pastaj të veprojë. Prandaj, sulmet, vëzhgimet përmes dronëve, edhe Kosova mund të përballet ashtu siç është përballur në të kaluarën nga veprimet që vijnë nga ana e palës serbe”, tha Shala.
Armë të llojeve të ndryshme, uniforma e pajise të tjera ushtarake u ekspozuan në Mitrovicë më 20 gusht të këtij viti.
Autoritetet thanë se ato u sekuestruan gjatë operacioneve të kryera në veri të vendit dhe në afërsi të lokacioneve ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë./EO