Jashari: Institucionet të punojnë më fuqishëm për krimet e luftës

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Luftës së UÇK-së, Xhavit Jashari, ka shprehur dyshime se aktakuza e dorëzuar dje për krimet e kryera në lagjen Jashari në Prekaz do të sjellë drejtësi, duke u bërë thirrje institucioneve që të angazhohen më shumë në dokumentimin dhe ndjekjen e përgjegjësve.

Jashari sqaroi mbrëmë se ai personalisht nuk është dëshmitar në këtë rast dhe se personi me të njëjtin emër dhe mbiemër që përmendet në aktakuzë nuk është ai.

Ai tha se shumë prej atyre që i kanë përjetuar drejtpërdrejt ngjarjet e luftës dhe janë kapur nga forcat serbe kanë dëshmuar para organeve të drejtësisë.

“Unë jam skeptik në këtë pikë, por megjithatë i inkurajoj institucionet e drejtësisë, në këtë rast institucionet e Kosovës, që të punojnë më shumë në këtë drejtim”, deklaroi Jashari.

Sipas tij, institucionet duhet të mbledhin dhe të argumentojnë dëshmitë, provat dhe deklaratat e dëshmitarëve, në mënyrë që të kompletohen hetimet për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Mendoj që policia dhe ushtria serbe kanë kryer krime në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, tha Jashari në Klan Kosova.