Kusari-Lila: Nga sot çmimi i naftës përcaktohet nga tregu
Ministrja në detyrë e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se nga sot nuk është më në fuqi vendimi për çmimin maksimal të lejuar të naftës, pas skadimit të Udhëzimit Administrativ që rregullon këtë çështje.
Kusari-Lila tha se çmimi i derivateve tashmë do të përcaktohet nga tregu, ndërsa institucionet do të vazhdojnë të monitorojnë lëvizjet e çmimeve dhe aktivitetin e operatorëve.
“Për shkak të skadimit të afatit sipas udhëzimit administrativ mbi naftën dhe derivatet e saj, prej sot nuk ka pasur më përcaktim të çmimit maksimal”, tha ajo.
Kusari-Lila bëri të ditur se operatorët dhe shitësit me shumicë e pakicë janë njoftuar se do të jenë nën mbikëqyrje të afërt. Sipas saj, për monitorimin e tregut do të shfrytëzohen edhe të dhënat e Doganës së Kosovës për sasinë e importuar dhe çmimet në kufi.Ministrja në detyrë paralajmëroi se, në rast të evidentimit të lëvizjeve të pajustifikuara apo keqpërdorimeve me çmime, institucionet mund t’i rikthehen vendimmarrjes për përcaktimin e një çmimi maksimal.
“Prej sot çmimi është i përcaktuar nga tregu, ndërsa ne prapë e mbikëqyrim se nëse ka lëvizje do t’i kthehemi praktikës apo vendimmarrjes së caktimit të çmimit maksimal”, deklaroi Kusari-Lila./RTK