Hajra për seancën e 9 shtatorit: Gjithë procesi është në paqartësi totale kushtetuese

Ish-kandidati  për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Naim Hajra, ka komentuar caktimin e vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit për 9 shtator, duke e cilësuar situatën aktuale si të shoqëruar me paqartësi kushtetuese.

Hajra u shpreh se se është mirë që kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka ndërmarrë një iniciativë për vazhdimin e seancës, ndonëse, sipas tij, kjo është bërë me vonesë.

Megjithatë, ai ka vlerësuar se caktimi i seancës për 9 shtator mbetet i shoqëruar me paqartësi kushtetuese, duke thënë se nuk është e qartë nëse ajo do të jetë vazhdim i seancës konstituive.

“E para mirë që u mor një iniciativë se sikur ishte përgjumur zotëri Dehari kur e gjithë Kosova po vlonte me zhvillimet politike, ai si personi i thirrur për thirrjen e një seance edhe pse kishte një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese që e obligon atë që çdo 48 orë të thirret një seancë që të paktën të tentohet konstituimi, ai ishte si përgjumë pak por mirë që më në fund është marrë një iniciativë. Megjithatë, krejt kjo në një paqartësi kushtetuese duke qenë se ka interpretime të llojllojshme se i gjithë procesi është në një paqartësi totale kushtetuese edhe nuk dihet nëse seanca që është thirre për të mërkurën do të jetë seancë konstituive ose kushtetuese thënë më mirë”, u shpreh Hajra.

Mes tjerash, Hajra u shpreh se koha shtesë nuk është e nevojshme, pasi Vetëvendosja dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë deklaruar se i kanë numrat e nevojshëm për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.

Sipas tij, megjithatë, procesi po karakterizohet nga probleme të shumta, veçanërisht për shkak të qëndrimit të LDK-së lidhur me kandidaturën e Bekim Sejdiut për president.

Ai ka vlerësuar se prioritet duhet të jetë konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë, ndërsa ka paralajmëruar se çështja e zgjedhjes së presidentit mund të dërgojë vendin në zgjedhje të reja.

“Koha shtesë është e panevojshme në këtë fazë meqë është proklamuar nga Vetëvendosja dhe zotëri Kurti që ata i kanë numrat për të zgjedh kryetarin e Kuvendit dhe të formojnë Qeverinë dhe besoj që ky proces veç mundet me u kry të mërkurën e pastaj me hy në afatet e përzgjedhjes së Presidentit – por ky proces me sa po shihet po karakterizohet tash me probleme të shumta duke marrë përbazë faktin që LDK-ja nuk qëndron unike në kandidaturën e Bekim Sejdiut, si një kandidat që supozohej të ishte i përbashkët i dy partive. Megjithatë, është mirë që të konstituohet Kuvendi e të formohet Qeveria teksa Presidenti po duket se është një ‘mollë sherri’ që me gjasë do të na dërgojë në zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh Hajra.