Dehari thërret vazhdimin e seancës konstitutive për 9 shtator

Kryesuesi i seancës konstitutive të Kuvendit, Avni Dehari, ka bërë të ditur se vazhdimi i seancës do të mbahet më 9 shtator, në orën 11:00.

Vendimi i tij vjen pasi, siç ka thënë ai, pas marrëveshjes së arritur ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Dehari tha se e ka parë si lajm të mirë arritjen e marrëveshjes, ndonëse, sipas tij, ende nuk ka qartësi të plotë nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për konstituimin e të gjitha institucioneve.

“Si Kryesues i Seancës Konstitutive e kam parë si një lajm të mirë arritjen e marrëveshjes ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Edhe pse ende nuk ka qartësi të plotë, nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për konstituimin e të gjitha institucioneve, kam vendosur që vazhdimin e Seancës Konstitutive ta thërras më 9 shtator, në orën 11:00”, ka deklaruar Dehari.

Ai tha se deri atëherë pret që marrëveshja politike të shoqërohet me përgjegjësi konkrete dhe gatishmëri të deputetëve për t’i përmbushur detyrimet e tyre kushtetuese.

“Deri atëherë pres që kjo marrëveshje të shoqërohet me përgjegjësi konkrete dhe me gatishmëri të deputetëve për t'i përmbushur detyrimet e tyre kushtetuese”, tha Dehari.

Kryesuesi i seancës konstitutive theksoi se Kosova nuk ka nevojë për zvarritje të mëtejshme, krizë të re politike apo një proces të ri zgjedhor.

“Kosova nuk ka nevojë për një tjetër zvarritje, as për një tjetër krizë dhe aq më pak për një proces të ri zgjedhor”, përfundoi Dehari. /Zëri