Prokuroria: “Legija” udhëhoqi njësinë speciale serbe, që sulmoi familjen Jashari në Prekaz

Prokurori i rastit, Valdet Gashi, ka bërë të ditur se në sulmin e forcave serbe në lagjen Jasharaj në Prekaz, ku u vranë 26 civilë, mori pjesë edhe njësia për operacione speciale e Serbisë, e cila drejtohej nga Milorad Ulemek, i njohur me pseudonimin “Legija”.

Gashi tha se Ulemeku kishte pasur rol të drejtpërdrejtë në sulmin ndaj familjes së Shaban Jasharit.

“Njësinë për Operacione Speciale e ka udhëhequr Milorad Ulemek ‘Legija’, i cili e ka pasur për obligim dhe detyrë, me kërkesën e tij speciale, që ta sulmojë drejtpërdrejt shtëpinë e familjes së Shaban Jasharit. Kështu edhe ka ndodhur në terren”, tha Gashi.

Sipas prokurorit, gjatë sulmit pjesëtarë të njësive speciale serbe kishin marrë peng banorë të lagjes Jashari dhe i kishin maltretuar në forma të ndryshme.

Në aktakuzën ndaj 35 të pandehurve, Prokuroria Speciale ka përfshirë të dhëna për njësitë që morën pjesë në operacion, pozicionet e tyre, aktivitetet e të pandehurve, armatimin e përdorur dhe dëmet e shkaktuara.

Gashi tha se detajet mbi organizimin e sulmit dhe përgjegjësitë individuale të të pandehurve janë të elaboruara në aktakuzë.

Aktakuza është ngritur në mungesë, pasi, sipas Prokurorisë Speciale, janë shterur të gjitha mundësitë për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale.

Sipas informacioneve që posedon Prokuroria Speciale, të 35 të pandehurit janë ende gjallë.

“Legija”, ish-komandant ushtarak dhe paramilitar serb, i cili konsiderohet një nga figurat më famëkeqe të krimeve të kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi. Emri i tij dhe i njësisë së tij lidhet drejtpërdrejt me organizimin dhe ekzekutimin e operacioneve terroriste shtetërore, krimeve ndaj civilëve shqiptarë.