Kadrijaj: Kurti po funksionon me “luftë hibride”, e ka vendin në burg për shkelje të Kushtetutës

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar se po përdor atë që ajo e cilësoi si “luftë hibride” ndaj kundërshtarëve politikë.

Kadrijaj tha se Kurti po tenton të frikësojë deputetët dhe opozitën përmes profileve me adresa të rreme.

“Albin Kurti s’di ku është fshehur, ai po mundohet me funksionu me luftën hibride dhe me Lule Gjelat dhe nuk e din se duke dash me denigru çdo qytetar që nuk është me LVV me fake adresa, po mundohet se e frikëson deputetët, opozitën që mos me fol”, deklaroi ajo.

“Jo Albin, nuk frigohemi. Ata që janë aq trima të dalin me adresa të vërteta dhe të përballen me realitetin”, shtoi Kadrijaj, transmeton Zeri.info.

Ajo ka hedhur edhe akuza të rënda ndaj Kurtit, duke deklaruar se ai duhet të përballet me përgjegjësi penale për veprimet e tij në qeverisje.

“Rruga e Albin Kurtit është se e ka vendin në burg për shkak të shkeljes së Kushtetutës, abuzimit me shtetin dhe aferave kriminale dhe korruptive”, tha Kadrijaj.

Deklaratat e saj vijnë në kuadër të përplasjes së vazhdueshme mes opozitës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.