Deliu-Kodra: Nuk do të rrimë duarkryq

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti po e interpreton Kushtetutën në bazë të mënyrës që i konvenon.

Deliu-Kodra, tha se PDK nuk do të 'qëndrojë duarkryq' dhe do të angazhohet për rikthimin e rendit kushtetues në vend.

"Mënyra qysh lexohet Kushtetuta prej Albin Kurtit është mënyrë qysh atij i konvenon. 30 ditëshi ka qenë i qartë, 30 ditëshi ka kaluar dhe tash ne jemi jashtë afatit. Kur e shoh sot përpjekjen që Albin Kurti me imponu një rend të ri edhe kushtetues, edhe ligjor, edhe shoqëror, unë nuk befasohem që ai ka me u sjellë në afate të reja, me u thirrë në afate të reja. Ne s'kemi me qëndru duarkryq, të jeni të bindur që kemi me kërku si Parti Demokratike e Kosovës, si deputetë që kemi marrë besim e mandat, si forca e parë opozitare, deri në fund kthimin e rendit kushtetues dhe veprimet tona brenda Kuvendit të jenë në harmoni me mandatet që na kanë dhënë qytetarët e Republikës së Kosovës", tha ajo.

Tutje, Deliu-Kodra tha se asnjë eksponent nga LVV nuk mund të ndalë vullnetin dhe mandatin e deputetëve që kanë marrë besimin e qytetarëve."Nuk mundet as Albin Kurti, as Avni Dehari, as asnjë eksponent i Lëvizjes Vetëvendosje me e ndalë vullnetin dhe mandatin me të cilin na kanë ngarkuar qytetarët", tha deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.