Tentoi të shiste pronën 800 mijë euro me dokumente false, dënohet me 6 vjet burg

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor të akuzuarin Sh.B. për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”, duke e dënuar me gjashtë vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

Sipas njoftimit të Gjykatës, i akuzuari Sh.B., me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kishte tentuar ta vinte në lajthim të dëmtuarin A.H., duke i ofruar për shitje një pronë në Prishtinë në vlerë prej 800 mijë eurosh.

“Për të cilën pronë i njëjti kishte arritur që fillimisht të falsifikojë dokumentet përmes akteve noteriale, pronë kjo nën menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Pas verifikimit nga noterja V.A., ishte vërtetuar se autorizimi në emër të të pandehurit Sh.B. ishte i falsifikuar, ndërsa vepra kishte mbetur në tentativë.

I akuzuari është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë 200 euro, si dhe 20 euro për Programin për Kompensimin e Viktimave të Krimit, në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

“Gjykata ka urdhëruar konfiskimin e përhershëm të dokumentit të falsifikuar, ndërsa i akuzuari Sh.B., për këtë aktgjykim mbrohet në liri deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi”, thuhet tutje në njoftim.

I dëmtuari është udhëzuar që kërkesën pasurore-juridike ta realizojë në kontest të rregullt juridiko-civil.