Franca përjetoi verën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë

Vera e vitit 2026 ishte më e nxehta e regjistruar ndonjëherë në Francë, që nga fillimi i matjeve në vitin 1900, njoftoi ministrja franceze e Tranzicionit Ekologjik, Monique Barbut.

“Përjetuam verën më të nxehtë të regjistruar që nga fillimi i matjeve në vitin 1900”, deklaroi Barbut gjatë prezantimit të bilancit klimatik të muajve qershor-gusht, në selinë e Météo-France pranë Parisit.

Vera e këtij viti u karakterizua nga valë të forta të të nxehtit, thatësira dhe zjarre masive, ndërsa temperaturat e larta prekën edhe vendet fqinje.

Sipas agjencive meteorologjike lokale, edhe Mbretëria e Bashkuar dhe Belgjika regjistruan verën më të nxehtë në historinë e matjeve.

Franca u përball me tre valë të të nxehtit, njëra prej të cilave, në fund të qershorit, arriti intensitet rekord.

Një tjetër, nga fundi i korrikut deri në gusht, zgjati 23 ditë, duke barazuar rekordin për valën më të gjatë të të nxehtit, të vendosur në vitin 1983.

Situata u përkeqësua edhe nga zjarret ekstreme pyjore, përfshirë një zjarr që përfshiu një pjesë të Girondës

.Sipas ministres Barbut, deri në fund të gushtit, zjarret kishin djegur gjashtë herë më shumë sipërfaqe se mesatarja e 20 viteve të fundit.

“Vera e vitit 2026 do të mbetet në histori, por pyetja që duhet t’i bëjmë vetes tani është se në ç’mënyrë do të mbetet në histori”, u shpreh ministrja franceze.  /atsh