Mbi 20 mijë shtëpi duhet të rindërtohen pas përmbytjeve në Nepal, vijojnë kërkimet për të zhdukurit
Nepali përballet me një prej operacioneve më të mëdha të rindërtimit pas katastrofës së javës së kaluar, ndërsa autoritetet vlerësojnë se rreth 20 mijë shtëpi duhet të rindërtohen në zona më të sigurta.
Katastrofa nisi më 26 gusht, kur shembja e një akullnaje shkaktoi një vërshim masiv akulli, shkëmbinjsh dhe balte në zonën kufitare mes Nepalit dhe Kinës. Përmbytjet shkatërruan vendbanime të tëra, duke lënë pas mijëra viktima dhe të zhdukur, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Sipas autoriteteve nepaleze, rreth 7,500 shtëpi janë shkatërruar plotësisht, pasi janë marrë nga ujërat ose janë mbuluar nga mbeturinat dhe balta. Edhe shumë prej ndërtesave që kanë mbetur në këmbë konsiderohen të pabanueshme.
Bilanci i katastrofës ka arritur në 1,252 viktima, ndërsa më shumë se 4,200 persona rezultojnë ende të zhdukur. Mijëra të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
Në zonat e prekura janë angazhuar më shumë se 9,300 trupa të ushtrisë nepaleze, të cilët po marrin pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit, pastrimin e rrugëve të bllokuara, trajtimin e të plagosurve dhe menaxhimin e viktimave.
Një prej operacioneve më të vështira po zhvillohet në tunelet e projekteve hidroenergjetike, ku dyshohet se mund të jenë të bllokuar rreth 900 persona. Ekipet nepaleze po punojnë së bashku me ekspertë nga India, Koreja e Jugut dhe Kina.
Një zyrtar i ushtrisë tha se operacioni do të vazhdojë për aq kohë sa ekziston shpresa për të gjetur të mbijetuar. Deri tani, dy trupa janë nxjerrë nga tuneli i hidrocentralit Langtang Khola.
Katastrofa ka prekur edhe shtetas të huaj. Autoritetet nepaleze thanë se të paktën 583 shtetas të huaj rezultojnë të zhdukur, mes tyre pelegrinë dhe turistë që ndodheshin në zonat malore.
Ndërkohë, Australia ka premtuar mbështetje shtesë për operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa Kina ka dërguar një tjetër paketë ndihmash me tenda, batanije, pajisje mjekësore dhe mjete komunikimi satelitor.