UNICEF: 1 në 5 fëmijë përjetuan abuzim seksual të mundësuar nga teknologjia

Rreth 20 milionë fëmijë të moshës 12 deri në 17 vjeç, ose pothuajse një në pesë, kanë përjetuar të paktën një formë të shfrytëzimit dhe abuzimit seksual të mundësuar nga teknologjia në 21 vende, sipas një raporti të ri të UNICEF-it.

Më shumë se 15 milionë fëmijë janë ekspozuar ndaj përmbajtjeve seksuale të padëshiruara, 9 milionë janë kërkuar të përfshihen në biseda seksuale ose të ndajnë imazhe seksuale kundër vullnetit të tyre, ndërsa rreth 4 milionë u janë shpërndarë imazhe seksuale pa pëlqim.

Rreth 60 për qind e rasteve kanë ndodhur në platformat kryesore të mediave sociale, ndërsa 14 për qind në lojërat online. Në 57 për qind të rasteve, autor i abuzimit ka qenë dikush që fëmija e njihte.

UNICEF thekson se më shumë se 40 për qind e rasteve nuk i janë treguar askujt, ndërsa më pak se 1 për qind janë raportuar te autoritetet.

Raporti paralajmëron edhe për pasojat në shëndetin mendor. Fëmijët që kanë përjetuar abuzim të mundësuar nga teknologjia kanë qenë katër herë më të prirë të raportojnë mendime ose sjellje vetëvrasëse dhe vetëlëndim.

UNICEF u bën thirrje qeverive dhe kompanive të teknologjisë të forcojnë mbrojtjen e fëmijëve në internet, mekanizmat e raportimit dhe shërbimet mbështetëse.

Për Kosovën, UNICEF thekson nevojën që kuadri ligjor dhe politikat ekzistuese të përkthehen në shërbime dhe mekanizma efektivë për mbrojtjen e fëmijëve në hapësirat digjitale./rtk