Kosova merr pjesë në takimin e ministrave për Çështje Evropiane në Dublin

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, po përfaqëson Kosovën në takimin joformal të Ministrave për Çështje Evropiane, që po mbahet më 3 dhe 4 shtator në Dublin, nën Presidencën Irlandeze të Këshillit të BE-së.

Në takim marrin pjesë ministrat e shteteve anëtare të BE-së, përfaqësues nga vendet kandidate dhe kandidate potenciale, komisionerë evropianë dhe deputetë të Parlamentit Evropian.

Në agjendën e takimit janë tri tema kryesore: Korniza Financiare Shumëvjeçare 2028-2034, zgjerimi i Bashkimit Evropian dhe forcimi i qëndrueshmërisë demokratike të BE-së.

Në kuadër të sesionit të dedikuar për zgjerimin, ministrat e vendeve kandidate dhe kandidate potenciale do t'u bashkohen përfaqësuesve të shteteve anëtare. Në këtë sesion pritet të ketë edhe një intervenim të kryenegociatorit Zulfaj.

Sipas njoftimit, Zulfaj do të paraqesë prioritetet e Kosovës në procesin e integrimit evropian, me theks te marrja e statusit të vendit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim.

Kosova konsideron se këto hapa janë të merituar në bazë të reformave dhe rezultateve të arritura në procesin e përafrimit me Bashkimin Evropian.

Kryenegociatori Zulfaj do të përfaqësojë Kosovën gjatë takimit dyditor, ndërsa vendi, sipas njoftimit, mbetet i përkushtuar në avancimin e reformave dhe rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian./Zëri