Ngarkesa pa asnjë siguri, 300 euro gjobë kompanisë në Prizren

Një kompani është gjobitur me 300 euro, pasi kamioni i saj, që transportonte blloqe ndërtimi, u ndalua në Landovicë dhe u konstatua se ngarkesa nuk ishte siguruar siç duhet.

Rasti është evidentuar të enjten gjatë patrullimit të rregullt nga zyrtarët e Stacionit Policor Prizren - Veri, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, në magjistralen Prizren - Gjakovë.

Gjatë kontrollit, policia ka konstatuar se drejtuesi i kamionit nuk kishte siguruar ngarkesën, duke paraqitur rrezik për sigurinë në komunikacion.

Për këtë shkelje personit juridik, përkatësisht kompanisë pronare të kamionit, i është shqiptuar gjobë në vlerë prej 300 eurosh, transmeton Zeri.info.

Policia e Kosovës ka thënë se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe garantimin e sigurisë publike, përmes kontrolleve dhe veprimeve të vazhdueshme për parandalimin e shkeljeve që mund të rrezikojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve. /Zëri