Arrestohet një person, i dyshuar për krime lufte në Zubin Potok

Një person është arrestuar të enjten në kuadër të hetimeve për krime lufte të kryera gjatë luftës në Kosovë, në Zubin Potok.

Sipas komunikatës së përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, arrestimi është bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale, nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës.

I dyshuari me inicialet R.K. dyshohet për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” dhe është ndaluar për 48 orë, transmeton Zeri.info.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se, brenda afatit ligjor të përcaktuar me Kodin e Procedurës Penale, do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ndërkohë, në koordinim me hetuesit policorë, PSRK-ja do të vazhdojë ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore lidhur me rastin.

“Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës riafirmojnë angazhimin në hetimin dhe ndjekjen penale të të gjithë kryerësve të mundshëm të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë”, thuhet në komunikatë. /Zëri