E mërkura e kobshme në Kosovë, tre të vdekur nga aksidentet në trafik

E mërkura e 2 shtatorit të këtij viti ishte një ditë e kobshme në Kosovë, pasi në këtë ditë humbën jetën tre persona si pasojë e aksidentit në trafik.

Siç bëhet e ditur në raportin ditor të Policisë së Kosovës, dy persona kanë humbur jetën në Prishtinë, kurse një në Vushtrri, shkruan Zeri.info.

Pasditen e së mërkurës një 17-vjeçar u godit për vdekje nga një veturë në Çagllavicë të Prishtinës. Policia bën të ditur se i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

“Rr. Ferizaj – Prishtinë, Çagllavicë 02.09.2026 – 15:35. Ka ndodhur një aksident trafiku ndërmjet një veture dhe një këmbësori. I lënduari (këmbësori) është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, mjekët kanë konstatuar se ka humbur jetën. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

Edhe kameramani dhe tiktokeri i njohur Laurent Krasniqi mbrëmë vdiq në një aksident trafiku në fshatin Llukar të Prishtinës.

Krasniqi u godit nga një veturë, derisa ai ishte duke vozitur me motor. I dyshuari që shkaktoi aksidentin ku vdiq Krasniqi është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

“Fsh. Llukar, Prishtinë 02.09.2026 – 20:17. Ka ndodhur një aksident trafiku në mes një veture dhe një motoçiklete. Motoçiklisti ka pësuar lëndime të rënda, është dërguar në Emergjencë në QKUK, mjeku ka konstatuar se ai ka humbur jetën. Me vendim të prokurorit, turpi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

Ndërkaq, në orët e mbrëmjes të së mërkurës një person tjetër ka vdekur në Spitalin e Vushtrrisë, pasi i njëjti më 5 gusht ishte goditur nga një veturë.

Siç bën të ditur Policia, i njëjti ishte duke u trajtuar në Repartin Intensiv në Spitalin e Vushtrrisë.

“Vushtrri, 05.08.23026 – 22:25. Më 02.09.2026 në Spitalin e Vushtrrisë ka vdekur viktima mashkull kosovar, i cili ishe duke u trajtuar në Repartin Intensiv, pasi ishte goditur nga një veturë më 05.08.2026. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, njofton Policia. /Zëri