Çitaku: PDK-ja e interesuar për formimin e institucioneve, por jo për pazare me Kurtin

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj deklaratave se PDK-ja nuk është e interesuar për formimin e institucioneve, duke i cilësuar ato si të pavërteta.

Çitaku ka thënë se PDK-ja në vazhdimësi ka kërkuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe funksionalizimin e institucioneve, duke theksuar se kjo parti nuk është e interesuar për marrëveshje politike me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

“Është një e pavërtetë e madhe të thuhet se PDK e ka bërë të qartë se nuk është e interesuar për formimin e institucioneve”, ka shkruar Çitaku.

Sipas saj, PDK-ja ka kërkuar me këmbëngulje konstituimin e Kuvendit, të cilin e ka cilësuar si institucionin më të lartë përfaqësues në vend dhe prej të cilit burojnë institucionet e tjera.

“Kemi qenë çdo 48 orë në Kuvend. Kemi qenë çdo ditë para Qeverisë. Kemi kërkuar respektimin e Kushtetutës dhe funksionimin e institucioneve”, ka deklaruar ajo.

Çitaku ka theksuar se PDK-ja nuk ka qenë dhe nuk është e interesuar për “pazare politike” me Albin Kurtin.

“PDK nuk ka qenë dhe nuk është e interesuar për pazare politike me Albin Kurtin. Kjo është e vërtetë. Por për institucione? Gjithmonë”, ka shkruar ajo.

Në fund, nënkryetarja e PDK-së u ka bërë thirrje deputetëve që të marrin pjesë në seancën e radhës së Kuvendit, e cila, sipas saj, do të mbahet të enjten në orën 11:00.

“Ejani nesër në Kuvend. Në orën 11:00. Ne jemi aty. Kosova ka nevojë për institucione, jo për pazare”, ka përfunduar Çitaku.