Pas takimit me Kurtin, Abdixhiku: Njoftim i rregullt pas zhvillimeve, do të ketë përpjekje për takime të rradhës
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka folur pas takimit me kreun e LVV-së, Albin Kurtin të mbajtur pak më parë.
Abdixhiku u shpreh se ka njoftuar Kurtin për zhvillimet e fundit në partinë e tij, pasiqë gjashtë deputetë të LDK-së nuk i kanë dhënë mbështetje kandidaturës së Bekim Sejdiut për president të vendit.
“Njoftim i rregullt pas zhvillimeve në të dy partitë. Si e do rendi, kur kemi procese diskutuese duhet të njoftojmë zyrtarisht njëri-tjetrin për zhvillimet partiake. Dhe, këtë e bëra. Atë që ka ndodhur dje, e njoftova Kurtin dhe ai më njoftoi për zhvillimet në kryesinë e VV-së dhe të Grupit Parlamentar”, ka thënë Abdixhiku.
Ai nuk ka komentuar shumë vendimin e gjashtë deputetëve të LDK-së për të mos e mbështetur kandidaturën e Sjediut.
“Tash duhet t’i pyesni ata që kanë vendosur ta dërgojnë Kosovën në një situatë të paqartë”, ka thënë Abdixhiku.
Abdixhiku është pyetur se a do të vazhdojnë takimet e tij me Kurtin, ai u përgjigj se përpjekjet do të ketë, por sipas tij, numrat për momentin nuk janë për të zgjedhur presidentin e vendit.
Kurse, sa i përket takimeve me partitë e tjera politike, Abdixhiku ka thënë se gjë e tillë do të ishte e mirëseardhur, por që sipas tij, ato janë distancuar nga një proces i tillë. /Zëri