IQMT intensifikon kontrollet pranë shkollave, shqiptohen tri gjoba për shitjen e cigareve elektronike
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka intensifikuar inspektimet për parandalimin e shitjes së cigareve elektronike te të miturit, veçanërisht në subjektet afariste që ndodhen pranë institucioneve arsimore.
Sipas njoftimit, gjatë ditës së sotme ekipet e IQMT-së kanë kryer 18 inspektime në Prishtinë, Prizren, Fushë Kosovë, Rahovec, Istog, Shtime dhe Podujevë.
Gjatë kontrolleve, inspektorët kanë urdhëruar largimin e menjëhershëm të cigareve elektronike nga shitja në dyqanet pranë shkollave.
Për mosrespektim të dispozitave ligjore dhe urdhëresave të inspektorëve, janë shqiptuar tri gjoba, ndërsa janë realizuar edhe dy sekuestrime.
IQMT ka bërë të ditur se aksionet për kontrollimin e respektimit të dispozitave ligjore dhe mbrojtjen e të miturve do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, në të gjitha regjionet e Kosovës.
Në kuadër të këtyre veprimeve, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit u ka bërë thirrje qytetarëve, veçanërisht prindërve, që të raportojnë rastet e shitjes së cigareve elektronike te të miturit pranë institucioneve arsimore.
Ankesat dhe raportimet mund të bëhen në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit përmes platformës Viber, në numrin +383 46 311 000. /Zëri