Mira Murati mes 100 figurave me ndikim në Inteligjencën Artificiale, çka thotë shqiptarja?
Ish-drejtuesja e OpenAI, shqiptarja Mira Murati, është përzgjedhur mes 100 figurave me më ndikim në Inteligjencën Artificiale.
Ajo po ndërton një alternativë ndaj modeleve tradicionale të inteligjencës artificiale, me synimin që njerëzit të mbeten në qendër të mënyrës sesi përdoret AI, shkruan Times.
Kompanitë më të mëdha të inteligjencës artificiale po orientohen gjithnjë e më shumë drejt modeleve pronësore, të standardizuara dhe të përdorura përmes pagesave për çdo kërkesë. Por Mira Murati beson se e ardhmja e AI mund të ndërtohet ndryshe.
Në vitin 2025, Murati themeloi Thinking Machines Lab, një kompani që synon të zhvillojë modele të inteligjencës artificiale të personalizueshme sipas të dhënave dhe nevojave të përdoruesve, duke i lejuar njerëzit t’i drejtojnë ato përmes ndërveprimeve më të natyrshme.
Kompania ka siguruar dy miliardë dollarë financim, duke e bërë këtë një nga raundet fillestare më të mëdha të financimit në historinë e industrisë së teknologjisë. Në mars, Thinking Machines Lab lidhi gjithashtu një marrëveshje me Nvidia për furnizimin me çipat e gjeneratës së ardhshme, të nevojshëm për zhvillimin dhe funksionimin e modeleve të saj.
“Nëse njerëzit duan t’ua delegojnë gjithçka në jetën e tyre inteligjencës artificiale, do të ketë mundësi për ta bërë këtë. Por nëse nuk duan, nuk duhet të ndihen sikur nuk kanë zgjedhje”, ka thënë Murati.
Megjithatë, ajo pranon se zgjedhja mund të mos jetë gjithmonë në duart e njerëzve. Në një treg konkurrues, nëse sistemet autonome të AI-së rezultojnë më efikase se ekipet njerëzore që punojnë së bashku me AI-në, disa njerëz mund të përballen me zëvendësimin nga makineritë.
Murati beson se kjo mund të ndodhë veçanërisht në fusha si matematika dhe programimi. Por ajo argumenton se shumë profesione dhe fusha të tjera varen nga pjesëmarrja njerëzore dhe nga “rrëmuja e botës reale”, elemente që janë shumë më të vështira për t’u automatizuar plotësisht.