Haxhiu pret ekipin medalist të xhudos nga Lojërat Mesdhetare

Presidentja në detyrë e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim trajnerët e xhudos Driton Kuka, Majlinda Kelmendi dhe Fatos Tabaku, si dhe ekipin e xhudos që fitoi medalje në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026, ka njoftuar Federata e Xhudos e Kosovës.

"Gjatë takimit, Presidentja shprehu vlerësimin e saj për kontributin dhe rezultatet e xhudisteve dhe xhudistëve tanë në arenën ndërkombëtare, duke theksuar rëndësinë e sukseseve të tyre në promovimin e Republikës së Kosovës", ka theksuar federata. "Në shenjë mirënjohjeje për përfaqësimin dinjitoz të vendit dhe sukseset e arritura, Presidentja ndau mirënjohje për Kryemjeshtrin Driton Kuka dhe ekipin medalist, të cilët i nderoi gjithashtu me një dhuratë simbolike, gur nga Miniera e Trepçës, si simbol i respektit".